Mbreti Charles III shpallet zyrtarisht monark i Kanadasë
Pas një ceremonie zyrtare në Pallatin St. James që shpalli monark Mbretin Charles III, në një ceremoni të ndarë mbajtur në Otawa, Charles u shpall zyrtarisht edhe si kreu i shtetit të Kanadasë.
Charles u bë automatikisht mbret pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, të enjten. Por si ceremonia në Mbretërinë e Bashkuar disa orë më parë, ceremonia e pranimit në Kanada është një hap kyç kushtetues dhe ceremonial në prezantimin e monarkut të ri në vend.
Charles tani është kreu i shtetit në Kanada - anëtar i Komonuelthit Britanik të ish-kolonive.
Associated Press shkruan se, megjithëse kanadezët janë disi indiferentë ndaj monarkisë, shumë prej tyre kishin dashuri të madhe për mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II.
Në përgjithësi, lëvizja antimbretërore në Kanada është e vogël, që do të thotë se Charles me siguri do të mbetet mbret i Kanadasë. Një arsye është se heqja e monarkisë do të nënkuptonte ndryshimin e kushtetutës. E kjo do të ishte një ndërmarrje e rrezikshme, duke pasur parasysh se sa delikate është projektuar për të bashkuar një komb prej 37 milionë banorësh që përqafon anglishtfolësit, frëngjishtfolësit, fiset indigjene dhe një fluks të vazhdueshëm emigrantësh të rinj.
Në ceremoninë për pranimin e sovranit të ri në Kanada, mori pjesë kryeministri Justin Trudeau si dhe Mary Simon.
Simon është guvernatorja e përgjithshme në Kanada dhe është përfaqësuese e monarkut britanik si kreu i shtetit dhe mban një pozicion kryesisht ceremonial dhe simbolik. Ajo është personi i parë indigjen që mban këtë pozicion.
Gjatë ceremonisë, një bandë prej 28 anëtarësh e Forcave të Armatosura Kanadeze luajti “God Save the King” si dhe u bë përshëndetja me armë. Ceremonia përfundoi me himnin kombëtar të Kanadasë.
Mbretëresha Elizabeth ishte kreu i shtetit për 45% të ekzistencës së Kanadasë dhe si monarke e ka vizituar vendin 22 herë.
