Mbi 400 të vdekur në aksidente trafiku këtë vit, Izraeli me gjoba masive për ata që e përdorin telefonin gjatë vozitjes
Ministrja e Transportit e Izraelit, Miri Regev, ka thënë se policia do të fillojë që të zbatojë gjoba të majme prej 10 mijë shekelësh (rreth 3 mijë e 70 dollarë amerikanë) për vozitësit që e përdorin telefonin gjatë vozitjes.
Duke folur në një konferencë për transportin, energjinë dhe infrastrukturën, e organizuar nga grupi medial “Yedioth Ahronoth”, ministrja e fajësoi sjelljen e shoferëve për rritjen e numrit të aksidenteve në trafik.
Më shumë se 400 njerëz e kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në Izrael deri më tani këtë vit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas ministres, organet e rendit do të fillojnë që ta lëshojnë gjobën e lartë pa e dërguar rastin në gjykatë në rastin e parë të kësaj shkeljeje.
Vozitësit rrezikojnë që t’u konfiskohet vetura, nëse zihen duke e përdorur telefonin për herë të dytë gjatë vozitjes.
“Ne do të shkojmë aq larg, saqë do ta konfiskojmë automjetin. Nëse ata [policia] kapin një person duke shkruar mesazhe, menjëherë do t’i japin një gjobë prej 10 mijë shekelësh herën e parë. Ai nuk do të shkojë në gjykatë. Herën e dytë, do të jetë konfiskimi i automjetit” – paralajmëroi ministrja Regev.