Mbesa e Musolinit largohet nga partia e Melonit të Italisë
Mbesa e diktatorit famëkeq italian, Benito Mussolini, tha të enjten se do të largohej nga partia Vëllezërit e Italisë të kryeministres Giorgia Meloni, sepse ky grup politik është tepër djathtist, pasi rishtazi nuk ishte pajtuar me qëndrimin e partisë për të drejtat e pakicave.
Rachele Mussolini, këshilltare komunale në Romë, që kishte fituar më së shumti vota nga të gjithë kandidatët e tjerë në zgjedhjet e kaluara komunale në kryeqytet më 2021, tha se do të bëhet pjesë e grupit me politika më qendrore, “Forca Italia”, raporton agjencia “Reuters”.
“Është koha që ta ndërroj faqen dhe t’i bashkohem një partie që më duket se është më afër ndjeshmërive të mia të moderuara e qendrore” – i tha 50-vjeçarja agjencisë së lajmeve ANSA, duke i konfirmuar raportimet e mëhershme të gazetave.
Rrënjët e partisë Vëllezërit e Italisë lidhen me Lëvizjen Socialiste Italiane (MSI), trashëgimtare e fashistëve të Musolinit, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga ardhja në pushtet më 2022, Meloni është munduar që ta paraqesë partinë e vet si grup tradicional konservator.
Megjithatë, kritikët thonë se kjo përpjekje është kryesisht maskim, duke i theksuar qëndrimet e rrepta të partisë për imigrantët, abortin dhe të drejtën e personave të komunitetit LGBT për të birësuar fëmijë, si dhe lëvizjet e saj për t’i ashpërsuar ndëshkimet për gratë që pranojnë të bëhen nëna surrogate.
Partia Forca Italia – pjesë e koalicionit qeveritar të Melonit – gjithashtu e paraqet veten si parti që i mbron vlerat tradicionale të krishtera, por shihet si më liberale sa u përket të drejtave civile.
Një burim politik i tha agjencisë “Reuters” se çështja e të drejtave pati rol kyç në vendimin e mbesës së Musolinit për ta ndërruar partinë.