Margrethe II e Danimarkës shënon jubileun si mbretëresha e vetme në Evropë - NACIONALE

Margrethe II e Danimarkës shënon jubileun si mbretëresha e vetme në Evropë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Mbretëresha Margrethe II e Danimarkës, monarkja më jetëgjatë në Evropë dhe mbretëresha e vetme në fuqi pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, ka shënuar jubileun e saj me një sërë festimesh të vogla në shenjë respekti për kushërirën e saj të tretë.

Margrethe, 82, një monarke jashtëzakonisht popullore, duhej të shënonte 50-vjetorin e ngjitjes së saj në fronin danez në janar, por festimet u zvogëluan ndjeshëm për shkak të pandemisë.

Festimet e plota pritej të mbaheshin në të gjithë vendin këtë fundjavë, por më pas u ndalën përsëri pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth të enjten.

Pallati tha se vendimi për uljen e festimeve u mor "me kërkesën e vetë mbretëreshës", raportuan mediat daneze.

Në një letër ngushëllimi drejtuar Mbretit Charles III, Margrethe e quajti mbretëreshën Elizabeth "një figurë madhështore midis monarkëve evropianë dhe një frymëzim i madh për të gjithë.”

“Pas 50 vitesh në fron, mbretëresha Margrethe është tani monarkja më jetëgjatë në botë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth”, shkroi të premten gazeta daneze Berlingske.

Margrethe u kurorëzua mbretëreshë në moshën 31-vjeçare më 14 janar 1972.

Në kohën e kurorëzimit të saj, vetëm 45% e danezëve ishin në favor të familjes mbretërore, duke kundërshtuar vendin që ajo mbante në një demokraci moderne. Por sot, ajo gëzon mbështetjen e më shumë se 80% të popullsisë.

Margrethe, e cila mbeti e ve në vitin 2018, vlerësohet me modernizimin e institucionit.

Margrethe ka thënë vazhdimisht se do të qëndrojë në fron derisa të vdesë. Në vitin 2019 ajo i tha të përditshmes suedeze Expressen: “Kam ndërmend të qëndroj në fron për sa kohë të jem gjallë. Misioni im është i përjetshëm.” Ajo tha se abdikimi do të vihej në pikëpyetje vetëm nëse sëmurej rëndë.

Pas vdekjes së saj, ajo do të pasohet nga djali i saj, Princi i Kurorës Frederik, 54 vjeç.

Lajme të ngjashme