Maia Sandu, politikane pro BE-së, zgjidhet përsëri presidente e Moldavisë - NACIONALE

Maia Sandu, politikane pro BE-së, zgjidhet përsëri presidente e Moldavisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja pro BE-së e Moldavisë, Maia Sandu, e ka siguruar mandatin e dytë pas një balotazhi të tensionuar, që është parë si zgjedhje mes Evropës dhe Rusisë.

Pas numërimit të shumicës së votave, zonja Sandu kishte marrë 55 për qind. Në një fjalim të mbajtur natën vonë, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë moldavëve, raporton televizioni BBC.

Rivali i saj, Alexandr Stoianoglo, i cili ishte mbështetur nga Partia e Socialistëve, që ka qëndrime pro-ruse, kishte bërë thirrje për marrëdhënie më të ngushtë me Moskën.

Gjatë ditës, këshilltari presidencial për siguri kombëtare tha se kishte pasur “ndërhyrje masive” nga Rusia në procesin zgjedhor të Moldavisë që kishte pasur “potencial të madh për ta shtrembëruar rezultatin”.

Rusia tashmë kishte mohuar se kishte ndërhyrë në zgjedhjet që u mbajtën një javë pas një gare tjetër kyçe në Evropën Lindore, në Gjeorgji. Presidentja gjeorgjiane ka thënë se në zgjedhje ishte zhvilluar “një operacion special rus”.

Stoianoglo, i cili ishte shkarkuar nga Sanduja nga pozita e kryeprokurorit, ka mohuar se ka qëndrime pro Kremlinit.

Me mbylljen e vendvotimeve, Sanduja dhe rivali i saj i falënderuan votuesit. Stoianoglo foli në gjuhën ruse dhe rumune. Edhe pse rumanishtja është gjuha kryesore në Moldavi, edhe rusishtja flitet gjerësisht për shkak të së kaluarës sovjetike të vendit.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e lartë, 54 për qind, sidomos në mesin e diasporës në qendrat e votimit jashtë vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme