Maduro me gruan sot para gjyqit: Me çfarë akuzash përballet
Nicolás Maduro pritet të paraqitet më vonë sot në një gjykatë federale në Manhatan për t’u përballur me akuza për narkoterrorizëm, shkruan The Guardian.
Maduro, 63 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen në burg në Brooklyn pas kapjes së tyre nga forcat amerikane.
Të dy pritet të dalin para seancës gjyqësore, e cila është caktuar për në orën 12:00 sipas kohës lindore të SHBA-së (17:00 GMT), përpara gjyqtarit federal 92 vjeçar Alvin K. Hellerstein.
Nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre ka siguruar avokatë, apo nëse do të paraqesin deklarim fajësie ose pafajësie.
Me çfarë akuzash përballet Maduro?
Prokurorët thonë se Nicolás Maduro është kreu i një karteli të zyrtarëve politikë dhe ushtarakë venezuelianë, të cilët për dekada me radhë kanë bashkëpunuar me grupe të trafikut të drogës dhe organizata terroriste të shpallura si të tilla nga SHBA-ja, për të përmbytur Amerikën me mijëra tonë kokainë.
Siç raporton Reuters, Maduro u padit për herë të parë në vitin 2020, si pjesë e një çështjeje të gjatë për trafik droge kundër zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve venezuelianë, si dhe guerilëve kolumbianë.
Në një aktakuzë të re, të bërë publike të shtunën, prokurorët pretendojnë se Maduro ka mbikëqyrur personalisht një rrjet shtetëror të trafikut të kokainës, i cili ka bashkëpunuar me disa nga grupet më të dhunshme dhe më aktive të trafikut të drogës në botë, përfshirë kartelët meksikanë Sinaloa dhe Zetas, grupin paramilitar kolumbian FARC dhe bandën venezueliane Tren de Aragua.
Maduro akuzohet për narkoterrorizëm, komplot për importimin e kokainës, posedim të mitralozëve dhe mjeteve shkatërruese, si dhe komplot për posedimin e mitralozëve dhe mjeteve shkatërruese. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënime prej disa dekadash deri në burgim të përjetshëm për secilën akuzë.
Ekspertët ligjorë thonë se prokurorët përballen me një detyrë të vështirë, pasi duhet të provojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Maduros në trafikun e drogës për të siguruar një dënim.
Maduro i ka mohuar akuzat, dhe mund të duhen disa muaj përpara se të nisë procesi gjyqësor ndaj tij.