Macroni s’e përjashton dialogun me Putinin as pas nisjes së ofensivës së re
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të hënën se dialogu i tij me homologun rus, Vladimir Putin, ka ngecur pas zbulimit të vrasjeve masive në Ukrainë.
“Që nga masakrat që ne i kemi zbuluar në Bucha dhe në qyteza të tjera, lufta ka marrë një kthesë tjetër, prandaj nuk kam folur me të përsëri drejtpërdrejt që nga ajo kohë, por nuk e përjashtoj këtë në të ardhmen”, tha presidenti francez për televizionin “France 5”.
Rusia i ka quajtur falsifikim me qëllim të njollosjes së ushtrisë ruse akuzat se forcat e saj kanë ekzekutuar civilë në Bucha gjatë pushtimit të qytezës, raporton agjencia “Reutes”.
I pyetur se pse nuk e ka ndjekur shembullin e udhëheqësve të tjerë evropianë për ta vizituar kryeqytetin ukrainas, Kiev, Macroni tha se shfaqja e përkrahjes në vete nuk është e nevojshme për sulmit rus ndaj Ukrainës, që nisi më 24 shkurt.
“Do të shkoj në Kiev, por do të shkoj atje që të sjell me vete diçka të dobishme, sepse është e qartë se nuk më duhet që të udhëtoj atje për ta shfaqur këtë përkrahje”, tha presidenti francez, duke shtuar se ka biseduar rreth 40 herë me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, që nga nisja e luftës.
“Nëse shkoj në Kiev, do të jetë për të bërë një dallim”, tha ai.
Më 9 prill, kryeministri britanik, Boris Johnson, bëri vizitë të paparalajmëruar dhe të befasishme në Kiev dhe u pa duke ecur rrugëve të kryeqytetit ukrainas bashkë me presidentin Zelensky.