Macroni e paralajmëron metodën e ngjashme me të Iranit për kontrollimin e trazirave
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se qeveria franceze duhet t’i shqyrtojë kontrollimin dhe ndërprerjen e rrjetit të mediave sociale, “kur gjërat dalin nga dora” në vend.
Komentet e presidentit erdhën në kohën kur ministrat i fajësuan të rinjtë që përdorin platforma si “Snapchat” dhe “TikTok” për organizimin dhe nxitjen e trazirave dhe dhunës pas vrasjes së një adoleshenti javën e kaluar nga një polic në periferi të Parisit.
“Duhet të mendojmë për atë se si të rinjtë i përdorin rrjetet sociale... kur gjërat dalin nga dora, mund të detyrohemi që t’i rregullojmë ato ose t’i ndërpresim. Mbi të gjitha, ne nuk duhet ta bëjmë këtë në të nxehtët e çastit dhe jam i kënaqur që nuk u desh ta bënim”- tha Macroni në një takim me mbi 200 kryetarë komunash, vendbanimet e të cilëve janë prekur nga dhuna, raporton gazeta “The Guardian”.
“Mendoj se është një debat i vërtetë që duhet ta kemi në dritën e ftohtë të ditës”- shtoi presidenti francez në një video të siguruar nga televizioni BFM.
Kritikët thanë se kjo metodë do ta rreshtonte Francën në vijë me shtetet autoritare, si Kina, Rusia, Irani e Koreja Veriore.
Olivier Faure, kryetar i Partisë Socialiste të Francës, shkroi në “Twitter”: “Vendi i të drejtave të njeriut dhe qytetarëve nuk mund ta rreshtojë veten me ato demokracitë e mëdha të Kinës, Rusisë e Iranit.”
Ministrat francezë të mërkurën u takuan me përfaqësues të platformave “TikTok” dhe “Snapchat”. Të nesërmen, ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, sugjeroi se mund të ndërmerren lëvizje ligjore për t’i identifikuar ata që po i përdorin rrjetet sociale për të organizuar akte ilegale dhe për t’i sjellë para gjykatave.
Bllokimi ose kufizimi i qasjes në internet është metodë e njohur për kontrollimin e masës dhe shtypjen e pakënaqësive në vende me sisteme autoritare.
Në shtatorin e vitit të kaluar, gazeta “The Guardian” raportoi se autoritetet iraniane e kishin ndalur internetin në disa pjesë të Teheranit dhe Kurdistanit dhe e kishin bllokuar qasjen në platforma si “Instagram” dhe “WhatsApp” në përpjekje për t’i kufizuar protestat pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare në ndalim policor.
