Macroni e shtyn vizitën në Gjermani shkaku i trazirave në Francë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka shtyrë vizitën e planifikuar në Gjermani si rezultat i trazirave dhe protestave në vendin e tij.
Presidenca gjermane njoftoi se Macroni foli të shtunën në telefon me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe e njoftoi për situatën në Francë, duke e kërkuar shtyrjen e vizitës shtetërore në Gjermani, raporton televizioni BBC.
Në deklaratën e presidencës gjermane thuhet se presidentit Steinmeier i vjen keq për anulimin e vizitës së presidentit francez dhe se e kupton plotësisht situatën në vendin fqinj.
Ende nuk është njoftuar për pajtueshmëri rreth datës së re të vizitës së Macronit në Gjermani.
Ndërkohë kryetari i qytetit Lyon, Gregory Doucet, ka bërë thirrje për përforcime me policë shtesë në qytetin jugor për ta garantuar sigurinë gjatë natës.
Sipas medieve franceze, Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se do të dërgojë një njësi policore të quajtur CRS 8, e përbërë nga 80 policë të specializuar kundër dhunës në zona urbane.
Qyteti Lyon ishte njëra ndër pikat më të nxehta gjatë trazirave të natës së kaluar, ku u raportua për 35 policë të lënduar dhe tetë ndërtesa publike të sulmuara, përfshirë një stacion policor.
