Macroni me “shumë pak shpresë” se BE-ja mund t’u shmanget taksave pas takimit me Trumpin - NACIONALE

Macroni me “shumë pak shpresë” se BE-ja mund t’u shmanget taksave pas takimit me Trumpin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten gjatë një vizite në Portugali se e ka ngritur çështjen e taksave të mundshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Evropian gjatë takimit të tij me presidentin amerikan, Donald Trump, para disa ditëve në Uashington.

Duke folur para gazetarëve në një konferencë për shtyp në Porto të Portugalisë, Macroni tha se ka mbetur “me shumë pak shpresë” se çështja e taksave mund të zgjidhet, raporton gazeta “The Guardian”.

Sipas presidentit francez, fajin për këtë gjendje e kanë “keqkuptimet” nga ana e administratës amerikane, e cila tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSh) të Bashkimit Evropian e sheh si tarifë, për të cilën tha se është “në mënyrë faktike e pasaktë”.

Macroni shpjegoi se tatimi mbi vlerën e shtuar zbatohet pavarësisht statusit të produktit, qoftë ai i prodhuar lokalisht, qoftë i importuar.

Ai gjithashtu paralajmëroi për efektet anësore të ndonjë pengese më të gjerë tregtare, për shembull përmes taksave ndaj aluminit dhe çelikut, të cilat do të vendoseshin mu në kohën kur evropianët po synojnë të investojnë më shumë në fushën e mbrojtjes, siç ka kërkuar Trumpi, pasi këto taksa do t’i dëmtonin interesat e ShBA-së e të BE-së.

Presidenti francez e përsëriti thirrjen e tij për më shumë investime në sovranitetin dhe autonominë strategjike të Evropës përmes zvogëlimit të varësive ekzistuese dhe përmes realizimit të potencialit të saj./Nacionale

Lajme të ngjashme