Lukashenko thotë se Bjellorusia do të përdorte armë bërthamore në rast “agresioni”
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të enjten se vendi i tij është i gatshëm që t’i përdorë armët bërthamore të dhuruara nga Rusia në rast të “agresionit” të huaj. Deklarata e tij erdhi në kohën e rritjes së tensioneve përreth kufijve të Bjellorusisë me vendet e NATO-s.
Në qershor, disa koka bërthamore ruse raportohet se u dërguan në Bjellorusi për “parandalim” sipas presidentit rus, Vladimir Putin, raporton televizioni CNN.
Në një intervistë me agjencinë shtetërore, “Belta”, Lukashenko pretendoi se Bjellorusia “nuk do të përfshihet kurrë në këtë luftë”, nëse ukrainasit nuk e kalojnë kufirin. Megjithatë, ai shtoi: “Ne do ta vazhdojmë ndihmën ndaj Rusisë, ajo është aleatja jonë.”
Lukashenko paralajmëroi se nëse provokohet, sidomos nga vendet fqinje të NATO-s, si Polonia, Lituania ose Letonia, Bjellorusia “do të kundërpërgjigjej menjëherë me gjithçka që ka”, përfshirë armët bërthamore.
Nuk është e qartë se sa armë bërthamore të Rusisë janë dërguar në Bjellorusi rishtazi dhe ShBA-ja e zyrtarët perëndimorë nuk kanë konfirmuar publikisht nëse ndonjë armë është transferuar, edhe pse zyrtarë të lartë të Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes në ShBA kanë thënë se nuk kanë arsye për dyshim rreth pretendimit të Putinit.
Në intervistë, Lukashenko tha se nëse Bjellorusia do të sulmohej, “ne nuk do të presim e të pushojmë. Ne do ta përdorim tërë arsenalin e armëve tona për parandalim”.
“Ne nuk i sollëm armët bërthamore këtu për të frikësuar dikë. Po, armët bërthamore përfaqësojnë një faktor të fuqishëm parandalimi, por këto janë armë bërthamore taktike, jo strategjike. Për këtë arsye, ne do t’i përdorim ato menjëherë, porsa të nisë agresioni kundër nesh”- shtoi presidenti bjellorus.
Sidoqoftë, zyrtarët e Agjencisë për Inteligjencë të Mbrojtjes në ShBA thanë muajin e kaluar se nuk besojnë që Lukashenko do të kishte kontroll mbi arsenalin bërthamor, që, sipas të gjitha gjasave, do të kontrollohej tërësisht nga Rusia.
