Putini konfirmon se në Bjellorusi tashmë janë vendosur disa armë bërthamore taktike - NACIONALE

Putini konfirmon se në Bjellorusi tashmë janë vendosur disa armë bërthamore taktike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij tashmë e ka vendosur grumbullin e parë të armëve bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje.

Putini tha në një forum se këto armë do të përdoren vetëm nëse kërcënohen territori ose shteti rus, raporton televizioni BBC.

Qeveria amerikane thotë se nuk ka tregues që Kremlini planifikon që të përdorë armë bërthamore për ta sulmuar Ukrainën.

“Ne nuk shohim ndonjë tregues se Rusia është duke u përgatitur për të përdorur një armë bërthamore”- tha pas komenteve të Putinit sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken.

Sipas Putinit, dërgimi i kokave bërthamore taktike në Bjellorusi do të kompletohet në fund të verës.

Duke iu përgjigjur pyetjeve pas një fjalimi në Forumin Ndërkombëtar të Shën Petersburgut për Ekonomi, presidenti rus tha se ky veprim ka të bëjë me “frenimin” dhe për t’i sjellë ndër mend kujtdo “që mendon për të shkaktuar një humbje strategjike ndaj nesh”.

Kur u pyet nga moderatori i forumit për mundësinë e përdorimit të atyre armëve, Putini u përgjigj: “Pse duhet ta kërcënojmë tërë botën? Unë tashmë kam thënë se përdorimi i masave ekstreme është i mundshëm në rast të një rreziku për shtetësinë e Rusisë.”

Armët bërthamore taktike janë koka të vogla bërthamore dhe sisteme të shpërndarjes me qëllim për t’u përdorur në fushën e betejës ose për një sulm të kufizuar. Ato janë të dizajnuara për t’i shkatërruar caqet e armikut në një zonë specifike pa shkaktuar pasoja të gjera të rrezatimit radioaktiv.

Armët më të vogla bërthamore taktike mund të jenë një kiloton ose më pak (që e prodhojnë efektin sa të një mijë tonëve të materialit shpërthyes TNT). Armët më të mëdha të këtij lloji mund të jenë deri në 100 kilotonë. Si krahasim, bomba bërthamore që ShBA-ja e kishte hedhur në Hiroshima të Japonisë më 1945 ishte 15-kilotonëshe.

Lajme të ngjashme