Bideni e paralajmëron Putinin që të mos përdorë armë taktike bërthamore në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka paralajmëruar Rusinë që të mos përdorë armë taktike bërthamore ose kimike në luftën e Ukrainës.
Duke folur në një intervistë për televizionin “CBS News”, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se një veprim i tillë “do ta ndryshonte fytyrën e luftës si asgjë tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore”. Sidoqoftë, ai nuk tregoi se çfarë kundërpërgjigje do të jepte ShBA-ja, nëse do të përdoreshin këto armë nga Rusia.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i vendosi forcat bërthamore ruse në gatishmëri speciale pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt. Ai u tha shefave të mbrojtjes se ky vendim është për shkak të deklaratave agresive të Perëndimit.
Armët bërthamore ekzistojnë për gati tetë dekada dhe shumë shtete i shohin ato si mjete parandaluese që vazhdojnë t’ua sigurojnë sigurinë kombëtare.
Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia ka rreth 5.600 koka bërthamore. Sidoqoftë, ka pak gjasa që Rusia ta synojë përdorimin e tyre.
Armët taktike bërthamore mund të përdoren në largësi relativisht të vogël, në krahasim me armët strategjike bërthamore, që mund të përdoren në largësi të madhe.
Në intervistën e emisionit “60 Minuta” me gazetarin Scott Pelley në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan u pyet se çfarë do t’i thoshte Putinit, nëse ai do të ishte duke e shqyrtuar përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë në Ukrainë.
“Mos, mos, mos”, u përgjigj Bideni. Më pas, ai u pyet për pasojat që do t’i kishte Putini, nëse do ta kalonte këtë vijë. “A mendon se do të të tregoja, nëse do të dija saktësisht se çfarë do të ishin? Natyrisht, nuk do të të tregoj. Do të jetë me pasoja”, tha presidenti amerikan.
Lufta në Ukrainë nuk i ka ecur Rusisë aq mirë sa ka shpresuar para fillimit të saj. Ditëve të fundit, Ukraina thotë se ka marrë nën kontroll mbi 8.000 kilometra katrorë të territorit të saj në rajonin verilindor, Kharkiv.
Pavarësisht ngecjes së qartë të forcave ruse, Putini ka këmbëngulur se kundërsulmi i forcave ukrainase nuk do t’i ndërpresë planet e Rusisë për vazhdimin e operacioneve./Nacionale

