Lukashenko i dhuron Putinit një traktor për ditëlindjen e 70-të
Presidenti rus Vladimir Putin në ditëlindjen e tij të 70-të, ka pranuar një dhuratë të pazakontë nga lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.
Ndërsa liderët e disa shteteve ish-sovjetike u takuan në St. Petersburg, Lukashkenko i dhuroi Putinit një certifikatë të dhuratës – që ishte një traktor. Që nga koha sovjetike, traktorët kanë qenë krenaria e industrisë së Bjellorusisë.
Lukashenko, një lider autokrat i cili drejton kombin me një grusht të hekurt për gati tre dekada, tha se ai në kopshtin e tij përdor një model të ngjashëm traktori, me atë që i dhuroi Putinit.
Zyra e Lukashenkos, nuk ka njoftuar se si ka reaguar presidenti rus Putin ndaj dhuratës së marrë. Ndërsa, në një paraqitje televizive, ku po fliste për mënyrat e uljes së konflikteve midis kombeve ish-sovjetike, as Putini nuk e ka përmenduar dhuratën e tij.
