Luftimet me Izraelin: Hezbollahu nuk do të dorëzohet, thotë udhëheqësi i grupit
Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi i mbështetur nga Irani “nuk do të dorëzohet”, kur lufta me Izraelin po vazhdon që të përshkallëzohet.
Në fjalimin e tij të parë publik që nga përhapja e konfliktit rajonal në Liban të hënën, Qassemi tha se Hezbollahu e kishte respektuar marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2024, por se Izraeli “nuk e respektoi asnjërën prej dispozitave të saj”, raporton televizioni BBC.
“Ne u pajtuam me zgjidhjen diplomatike dhe e konsideruam këtë si një mundësi që shteti ta merrte përgjegjësinë e vet, por ne vazhdimisht kemi thënë se durimi ka kufij” – tha Qassemi në një adresim televiziv.
“Zgjedhja jonë është që të vihemi përballë tyre në pikën e sakrificës më të lartë, në kufijtë më të largët, dhe ne nuk do të dorëzohemi” – paralajmëroi ai.
Hezbollahu nisi raketa e dronë drejt Izraelit të hënën, pasi nga sulmet izraelite e amerikane u vra lideri suprem i Iranit, Ayotollah Ali Khamenei.
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme të gjera ajrore dhe ka dërguar trupa në jug të Libanit. Dhjetëra mijëra civilë janë detyruar që të largohen.