Lufta një mujore në Ukrainë - si nisi, çfarë ndodhi dhe çka pritet në vazhdim - NACIONALE

Lufta një mujore në Ukrainë - si nisi, çfarë ndodhi dhe çka pritet në vazhdim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lufta e Rusisë në Ukrainë deri më tani ka lënë të vrarë mijëra persona, ka shkatërruar disa qytete dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Kjo luftë, që është edhe konflikti më i madh ushtarak në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, përveç dëmeve në vendin që ka nisur pushtimin, ka përmbysur gjithashtu rendin ndërkombëtar të sigurisë duke pasur edhe një ndikim të rrezikshëm në ekonominë globale.

RRUGA DREJT LUFTËS

Një grumbullim i trupave ruse pranë Ukrainës në fillim të vitit 2021, fillimisht ngjalli frikën për një ofensivë të mundshme. Më pas, në muajin prill, Moska bëri tërheqjen e disa forcave të vendosura, një veprim që e hapi rrugën për një takim që u mbajt në muajin qershor midis Presidentit Joe Biden dhe Presidentit Vladimir Putin. Megjithatë, ky takim nuk pati një ndikim shumë të madh në uljen e tensioneve Rusi-ShBA.

Në fund të muajit tetor, u bë edhe një vendosje tjetër e forcave ruse përgjatë kufijve ukrainas, e deri në fund të vitit numri i trupave të vendosura u rrit në 150,000. Që nga ai moment, Moska mohoi planet per sulmimin e Ukrainës, duke i quajtur shqetësimet e ngritura nga Perëndimi, si një fushatë të ndërmarrë për diskreditimin e Rusisë. Në të njejtën kohë, kjo e fundit u bëri thirrje ShBA-ve dhe aleatëve të saj që të pengojnë bashkimin e Ukrainës me NATO-n dhe të largojnë forcat ushtarake të NATO-s nga Evropa Lindore, një kërkesë që u refuzua nga Perëndimi.

Më pas, më 21 shkurt, Putini doli papritmas me njohjen e pavarësisë së rajoneve rebele pro-ruse në Ukrainën Lindore. Në ato rajone, kryengritësit ishin në luftë me forcat ukrainase që nga viti 2014, gjë që kishte sjell protesta masvie dhe largimin e presidentit të atëhershëm nga detyra, e po në këtë vit Rusia ishte përgjigjur me aneksimin e Gadishullit të Krimesë.

FILLIMI I PUSHTIMIT

Në një fjalim televiziv të mbajtur më 24 shkurt, Putini njoftoi fillimin e asaj që ai e quajti një "operacion special ushtarak" që synonte çmilitarizimin e Ukrainës dhe çrrënjosjen e "nacionalistëve neo-nazistë". Ndërsa Putini ishte duke foluar, ushtria ruse nisi një seri sulmesh ajrore dhe me raketa mbi objektet ushtarake dhe infrastrukturën kryesore të Ukrainës. Ndërkohë që trupat tokësore ruse u futën në Ukrainë nga Krimea në jug, përgjatë kufirit lindor dhe nga aleati i Moskës, Bjellorusia, e cila kufizohet me Ukrainën në veri.

Këtë nismë Putini e argumentoi duke thënë se Uashingtoni dhe aletatët e tij nuk i kishin lënë zgjidhje tjetër, pasi kishin injoruar kërkesën e tij për garanci të sigurisë. Ky pretendim i Putinit u hodh poshtë nga liderët perëndimorë, të cilët e cilësuan si një pretekst të rremë për të nisur sulmin.

Ushtria ruse nisi rrugen drejtë kryeqytetit ukrainas, Kiev, i cili gjendet vetëm 75 kilometra në jug të kufirit me Bjellorusinë, vazhdoi në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv në lindje dhe përgjatë Detit Azov dhe brigjeve të Detit të Zi në jug.

E ndërsa Rusia vazhdonte me pretendimet se kishte në shënjestër vetëm objektet ushtarake, nga sulmet ajrore dhe sulmet e artilerisë u goditën edhe zonat e banuara, shkollat ​​dhe spitalet në të gjithë Ukrainën.

Sulmi rus ndaj Ukrainës u bë veçanërisht vdekjeprurës në muajin mars:

-Më 1 mars, një raketë ruse goditi ndërtesën e administratës rajonale në Kharkiv, duke lënë të vrarë 24 persona.

-Më 9 mars, një sulm ajror rus shkatërroi një maternitet në portin e rrethuar të Mariupolit, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur 17 të tjerë.

- Më 16 mars, një bombë ruse rrafshoi një teatër historik në Mariupol, edhe pasi ukrainasit kishin të shkruar fjalën "fëmijë" me shkronja të mëdha të bardha në trotuarin pranë teatrit, për të treguar se brenda tij kishte civilë të strehuar. Pas këtij sulmi, zyrtarët ukrains bënë të ditur se qindra njerëz që ishin të fshehur në bodrum të teatrit kishin mbijetuar.

- Të hënën, Rusia bombardoi një qendër tregtare në Kiev, duke lënë të vdekur të paktën tetë persona.

Mariupoli në Detin Azov, i cili vazhdon të jetë i rrethuar prej javësh, është objektivi kryesor i Rusisë e kjo e fundit e ka goditur në mënyrë të pamëshirshme, duke shkatërruar lagje të tëra e duke të lënë të vrarë mijëra njerëz. Qyteti I Mariupolit, është kthyer në një simbol të vuajtjes së civilëve. Në valën e më shumë se 3.5 milionë refugjatëve të larguar nga Ukraina, është bërë e ditur se mijëra janë banorë të Mariupolit.

PERËNDIMI GODET RUSINË ME SANKSIONE

Pushtimit të Ukrainës, aleatët perëndimorë iu përgjigjën shumë shpejt, duke nxjerrë sanksione të mëdha ekonomike kundër Rusisë.

Në sanksionet e vendosura, u bë ngrirja e rreth gjysmës së rezervave të Rusisë, në vlerë prej 640 miliardë dollarësh, bankat kryesore ruse u larguan nga sistemi i transferave financiare SWIFT, gjë që e bëri të pamundur që Moska të pranonte para në dollarë apo euro. Ndërkohë, edhe shumë kompani të mëdha ndërkombëtare nisën tërheqjen nga tregu rus.

Sanskionet e ashpra të cilat më parë ishin vendosur vetëm ndaj vendeve si Irani dhe Korea e Veriut, e çuan rublën ruse në një rëne të madhe, duke provokuar rritje të depozitave si dhe duke shkaktuar panik tek konsumatorët.

UKRAINA KËRKON MË SHUMË ARMË DHE ZONË NDALIM-FLUTURIMI

Ndërsa përshëndeti sanksionet perëndimore dhe furnizimet me armë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga ShBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë që të marrin masa edhe më të forta për të ndaluar Rusinë.

Ai vazhdimisht ka kërkuar shpalljen e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, një kërkesë që aleatët e refuzuan nga frika se mund të rezultojë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe madje të ndezë një konflikt global.

Zelensky gjithashtu u është lutur aleatëve perëndimorë që t'i ofrojnë Ukrainës avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë. Kjo kërkesë e tij ka bërë që Rusia të bëjë paralajmërime të ashpra ndaj Perëndimit në rast se ndërmarrin një lëvizje të tillë - dhe diskutimet mbi dërgesat e mundshme të avionëve luftarakë të epokës sovjetike dhe armëve të mbrojtjes ajrore nga Evropa Lindore në Ukrainë kanë ngecur pasi Perëndimi kërkon të shmangë një përshkallëzim të mundshëm.

Ukraina i ka kërkuar gjithashtu ShBA-së dhe BE-së të rrisin sanksionet duke ndaluar eksportet e naftës dhe gazit rus, një kërkesë kjo e kundërshtuar nga shumë anëtarë të BE-së, pasi që varen nga Rusia për një pjesë të madhe të nevojave të tyre për energji.

OFENSIVA NUK SHKON SIÇ PRITEJ

Që në ditët e para, pushtimi nuk ka shkuar ashtu siç e priste Putini. Pas një përparimi të shpejtë gjatë ditëve të para në periferi të Kiervit, forcat ushtarake ruse u bllokuan.

Në vend që të dorëzoheshin, ashtu siç shpresonte Kremlini, trupat ukrainase u përgjigjën ashpër, duke penguar përpjekjet ruse për të marrë në kontrollë qytetet e mëdha, përfshirë Kharkivin dhe Chernihivin. Pavarësisht sulmeve masive të ndërmarra që synonin forcat ajrore dhe asetet e mbrojtjes ajrore të vendit, Rusia gjithashtu dështoi të marrë kontrollin e plotë të qiejve mbi Ukrainë.

Ndërkohë, karvanet ushtarake ruse të cilat janë vendosur në dhjetëra kilometra përgjatë një autostrade që vjen nga Bjellorusia, janë bërë një objektiv i lehtë për bastistje dhe prita ukrainase.

Pavarësisht nga rrethimi i Mariupolit dhe një kapje e shpejtë e porteve të Berdyansk dhe Kherson, rusët ende nuk kanë arritur të kapin qendrën kryesore të ndërtimit të anijeve të Mykolaiv, gjë që do të sillte përparim drejt Odesës.

Zyrtarët perëndimorë thonë se trupat ruse janë penguar nga mungesa e vazhdueshme e furnizimit, duke mbetur pa ushqim, pa karburant dhe me mungesë të pajisjeve të duhura për motin e ftohtë.

Në fillim të marsit, ushtria ruse raportoi vdekjen e 498 ushtarëve, por që nga ajo datë ky numër nuk u përditësua më, e në kontrast të plotë të tij doli NATO e cila vlerësoi se 7,000 deri në 15,000 trupa ruse janë vrarë në katër javë.

KËRCËNIMET BËRTHAMORE DHE FRIKA NGA ARMËT KIMIKE

Lufta e Rusisë në Ukrainë, ndër të tjera ka ngritur edhe shqetësime për sigurinë e termocentraleve bërthamore të Ukrainës.

Në ditën e parë të pushtimit, forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor të çmontuar të Çernobilit, vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë që ndodhi 36 vjet më parë. Disa ditë më vonë, ata kapën termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, duke goditur një qendër trajnimi nga ku u ndezi një zjarr i shkurtër i cili ngriti frikën për një katastrofë të mundshme. Ndërsa, edhe ditën e mërkurë, agjencia shtetërore e Ukrainës, përgjegjëse për zonën e Çernobilit, njoftoi për shkatërrimin e një laboratori të ri.

Përveç frikës për Çernobilin, frikë kanë shkaktuar edhe rrjedhje të tjera kimike - më datë 21 mars, një rrjedhje amoniaku në një fabrikë kimike në qytetin lindor të Ukrainës, Sumy, kontaminoi një zonë me një rreze prej më shumë se 2.5 kilometra, por fatmirësisht era ishte në favor të banorëve dhe në këtë rast nuk u dëmtua asnjë.

Ndërkohë, lidhur më këto ngjarje ushtria ruse ka hedhur pretendime në mënyrë të përsëritur se në fakt janë “nacionalistët” ukrainas ata që po hartojnë plane për të hedhur në erë një objekt bërthamor ose kimik në mënyrë që më pas ta fajësojnë Rusinë.

Ngecja e ofensives ruse ka sjellë frikë edhe në Perëndim, ku shumë nga zyrtarët janë të shqetësuar që Putini mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore ose armëve kimike për të përhapur frikë dhe për të gjunjëzuar Ukrainën.

ÇKA PRITET NË VAZHDIM?

Edhe pse ofensiva e tij ka ngecur dhe ekonomia ruse po shtypet nën sanksionet perëndimore, deri më tani Putini nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të tërhiqet.

Pavarësisht rënies së rublës dhe rritjes së çmimeve të konsumit, sondazhet ruse tregojnë mbështetje të fuqishme për Putinin, e vëzhguesit këto rezultate ia atribuojnë fushatës masive propagandistike të Kremlinit dhe goditjeve të ndërmarra nga shteti ndaj disidentëve.

Ajo çfarë Putini po kërkon tani është që Ukraina ta miratojë një status neutral, të heqë dorë nga oferta për t'u anëtarësuar në NATO, të pranojë të çmilitarizohet, të njohë sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë dhe të njohë pavarësinë e republikave rebele në rajonin e Donbasit.

Në lidhje me këtë kërkesë, në fillim të kësaj jave Zelensky u shpreh i gatshëm të diskutojë një status neutral bashkë me garanci për siguri, me anë të së cilave do të përjashtohej çdo agresion tjetër ndaj Ukrainës. Por, sa i përket statusit të Krimesë dhe rajoneve separatise, presidenti ukrainas the kjo pjesë mund të diskutohet vetëm pas një armëpushimi dhe tërheqjes së trupave ruse nga vendi.

Ndërkohë, duket sikur Putini po kërkon të fitojë më shumë terren në Ukrainë në mënyrë që të diskutojë nga një pozicion më i fuqishëm, gjë që do ta detyronte Zelenskyn të bëjë lëshime. Nëse flasim për negociatat e mbajtura deri më tani, negociatorët nga të dyja palët janë shprehur se janë ende larg hartimit të një marrëveshjeje të mundshme që mund të diskutohet në mes Putinit dhe Zelenskyt./Nacionale/

Lajme të ngjashme