Lufta në Etiopi: raportohet se po digjen mbetjet e kufomave për t’i zhdukur dëshmitë e krimeve
Mbetjet e qindra trupave po shkatërrohen qëllimisht përmes një fushate të organizuar për zhdukjen e dëshmive të pastrimit etnik në rajonin perëndimor të Etiopisë, Tigray, sipas intervistave me 15 dëshmitarë.
BBC
Këto pretendime vijnë pas raportimeve të shumta të shënjestrimit të popullsisë lokale të rajonit Tigray gjatë luftës civile. Ato gjithashtu vijnë para dërgimit të mundshëm të një ekipi të pavarur hetues të Kombeve të Bashkuara, i cili do të drejtohej nga prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Fatou Bensouda.
Njerëz që u përkasin forcave të sigurisë nga rajoni fqinj, Amhara, dhe të cilat e kanë pushtuar rajonin perëndimor, Tigray, janë identifikuar duke hapur varre të reja masive, duke nxjerrë qindra trupa, duke i djegur e duke i dërguar mbetjet jashtë rajonit, thanë dëshmitarët në intervistat e realizuara përmes telefonit.
Autoritetet kanë pranuar se varret janë hapur, por thonë se kjo është dëshmi që forcat e rajonit Tigray e kanë kryer fushatën e tyre të vrasjeve të motivuara nga dallimet etnike në dekadat e fundit. Hulumtuesit nga Universiteti i Gondar-it gjithashtu kanë zbuluar zona të varreve masive, të cilat i kanë lidhur me Frontin Popullor për Çlirim të Tigray-t, raporton televizioni “BBC”.
Megjithatë, në një raport të publikuar rishtazi, organizatat “Amnesty International” dhe “Human Rights Watch” i kanë akuzuar zyrtarët dhe forcat e sigurisë të rajonit Amhara se qëndrojnë prapa fushatës së pastrimit etnik kundër banorëve të rajonit Tigray në atë zonë.
Luftimet, që filluan në nëntor të vitit 2020, erdhën pas një mosmarrëveshjeje mes qeverisë qendrore të kryeministrit Abiy Ahmed dhe partisë mbizotëruese në rajonin Tigray.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për hapjen e hetimeve të pavarura për krimet e kryera nga të gjitha palët luftuese në konflikt.
Qeveria etiopiane ishte ankuar për këtë rezolutë dhe ishte zotuar se nuk do të bashkëpunonte në hetime, duke thënë se rezoluta e miratuar është “instrument i presionit politik”.
Gjatë një votimi në mars, përpjekja e Etiopisë për ta bllokuar financimin e grupit hetues dështoi. Rusia dhe Kina e kishin përkrahur përpjekjen e qeverisë etiopiane për ta bllokuar financimin e hetimeve.
Sipas dëshmitarëve, tri ditë pas miratimit të financimit, në perëndim të rajonit Tigray nisi fushata për shkatërrimin e dëshmive të krimeve.
“Në ngastrën e tokës prapa shkollës “Hamele Hamushte” në qytezën Humera, 200 trupa të civilëve etnikë të Tigray-t u dogjën në dy marre masive. Ata ishin civilë të masakruar në muajt e parë të luftës”, tha një dëshmitar nga grupi etnik, Welkyat, që jeton në Humera.
Përderisa pjesëtarët e grupit Tigray ikën nga ozna gjatë luftimeve ose janë duke u mbajtur në ndalim, anëtarët e grupit etnik , Welkyat, mbetën atje dhe kanë ofruar raporte të dëshmitarëve.
“Më 4 prill, milicitë e Amhara-s dhe grupi i të rinjve të Fano-s i zhvarrosën mbetjet. Ata grumbulluan drunj, hodhën diçka që s’kemi parë kurrë më herët dhe i dogjën mbetjet që i grumbulluan. Mbetjet u thërrmuan dhe u bënë hi”, shtoi dëshmitari.
Një dëshmitar tjetër tha: “Ata i dërguan mbetjet te kompleksi i Institutit Bujqësor të Humera-s dhe i shndërruan në hi duke përdorur drunj, zjarr dhe lëndë kimike që ne nuk i njohim. Përderisa e bënin këtë, fytyrat e tyre ishin të mbuluara me maska dhe në duar kishin doreza.”
Adebay është një qytezë tjetër në perëndim të rajonit Tigray ku dëshmitarët e kanë përshkruar asgjësimin e dëshmive përmes largimit të mbetjeve njerëzore.
“Në mëngjesin e 10 prillit, milicitë e Amhara-s i hapën katër varret masive në kishën “Shën Abune Argawi”, tha një banor i kësaj qyteze.
“Aty ishin 150 trupa të civilëve të vrarë në valën e pastrimit etnik të gushtit. Ata i ngarkuan trupat në një kamion. Nuk dimë se ku i dërguan mbetjet.”, shtoi ai.
Ekspertët thonë se është i mundshëm asgjësimi i mbetjeve njerëzore duke përdorur materiale të ndryshme kimike.
Andrea Sella, profesor i kimisë joorganike në Kolegjin Universitar të Londrës tha se djegia e trupave është e mundshme, nëse arrihet një temperaturë mjaftueshëm e lartë.
Gebrekidan Gebresilassie, doktor i inxhinierisë mekanike në Universitetin e Ahenit në Gjermani, gjithashtu tha se është e mundshme që të shkatërrohen dëshmitë forenzike me ndihmën e materialeve kimike.
“Këto materiale kimike i shkatërrojnë dëshmitë forenzike, por, nga këndvështrimi kimik, edhe hiri mund të shfaq ca dëshmi. Është vështirë që të shkatërrohen të gjitha”, tha ai.
Zyra e kryeministrit të Etiopisë nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Sidoqoftë, një zyrtar i lartë i rajonit Amhra dhe kryetari i parlamentit federal, Agegnehu Teshager, i mohoi akuzat për shkatërrimin sistematik të dëshmive.
Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale