Lituania ia mbyll hapësirën ajrore, Fico i Sllovakisë kërkon rrugë të tjera drejt Moskës
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është duke kërkuar të enjten një rrugë të re për të arritur në Moskë që të marrë pjesë në paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore, pasi Lituania e mbylli hapësirën e saj ajrore për aeroplanët që e bartin Ficon drejt Rusisë dhe sllovaku tha se kufizime të ngjashme kanë vendosur edhe shtetet e tjera baltike.
Fico, i cili në dhjetor u takua në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin, është udhëheqësi i vetëm i një shteti të Bashkimit Evropian që planifikon të marrë pjesë në festimet e 9 majit në Moskë, pjesë e të cilave është një paradë ushtarake ku marrin pjesë më shumë se 20 udhëheqës të huaj, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha të mërkurën se vendi i tij e ka mbyllur hapësirën e vet ajrore për aeroplanët që i bartin Ficon dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejt Moskës.
Aeroplanët që fluturojnë mes Rusisë e Evropës zakonisht e kanë shfrytëzuar hapësirën ajrore të Lituanisë që nga viti 2021, kur kompanive ajore evropiane iu kërkua që ta shmangnin rrugën më të shkurtër përmes Bjellorusisë si pjesë e masave ndëshkuese kundër Minskut.
Ministria e Jashtme e Lituanisë ka thënë se nuk do të lejojë asnjë fluturim për në paradën e ushtrisë ruse, por nuk e ka përmendur në mënyrë specifike kryeministrin sllovak. Zyrtarët në Estoni thanë se nuk u është kërkuar leje për fluturim.
“Estonia na ka thënë se nuk do të na lejojë që të fluturojmë mbi territorin e saj, edhe pse Sllovakia ka leje gjatë tërë vitit që flota qeveritare ta shfrytëzojë hapësirën ajrore estone” – shkroi Fico në llogarinë e tij në “Facebook”.
“Kjo po e ndërlikon në mënyrë të jashtëzakonshme orarin tonë, sepse nuk kemi mundësi që t’i bëjmë organizimet për të cilat jemi pajtuar nesër në mbrëmje në Moskë” – shtoi ai.
Sllovakia varet shumë nga gazi rus dhe Fico, i cili u rikthye në pushtet në vitin 2023, ka udhëhequr një ndryshim në politikën e jashtme, të cilin kritikët thonë se e vendos vendin shumë afër Moskës./Nacionale