Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që Shtëpia e Bardhë ta ndëshkojë Afrikën e Jugut - NACIONALE

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që Shtëpia e Bardhë ta ndëshkojë Afrikën e Jugut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një grup ligjvënësish amerikanë, i përbërë nga anëtarë të dy partive, dëshiron që administrata e presidentit Joe Biden ta ndëshkojë Afrikën e Jugut për atë që e quajnë përkrahje për pushtimin ilegal të Ukrainës nga Rusia përmes zhvendosjes së një samiti të rëndësishëm për tregtinë në një shtet tjetër, sipas një letre të publikuar të martën nga gazeta “The New York Times”.

Këta ligjvënës thanë se “ndihma” e Afrikës së Jugut për Rusinë, përfshirë pretendimin për furnizimin e Moskës me armë për luftën e saj në Ukrainë, e vë në pikëpyetje legjitimitetin e saj për të marrë përfitime tregtare nga ShBA-ja sipas Aktit Afrikan për Rritje dhe Mundësi, raporton agjencia “Associated Press”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Afrikës së Jugut, Clayson Monyela, tha të martën në një deklaratë se letra e ligjvënësve amerikanë është “vërejtur”, por se vendi i tij ende e gëzon përkrahjen e qeverisë amerikane për organizimin e samitit AGOA.

Vlera e eksporteve të Afrikës së Jugut për në ShBA përmes këtij akti vitin e kaluar vlerësohet se ishte tre miliardë dollarë. ShBA-ja është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Afrikës së Jugut pas Kinës.

Zhvendosja e takimit të AGOA-s në një shtet tjetër “do të dërgonte një porosi të qartë dhe të rëndësishme se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë që të qëndrojnë me Ukrainën dhe se nuk ta pranojnë ofrimin e ndihmës nga partnerët tanë tregtarë për pushtimin e vazhdueshëm dhe brutal të Rusisë”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.

Lajme të ngjashme