Ligji i ri për “dezinformim” në Turqi, arrestohet një gazetar
Në Turqinë juglindore është arrestuar një gazetar për gjoja përhapje të “dezinformimit, duke shënuar kështu edhe paraburgimin e parë në bazë të një të ligji të ri të miratuar, për të cilin kritikët thonë se është një kërcënim për lirinë e fjalës.
Arrestimi i gazetarit Sinan Aygul nga një provincë me shumicë kurde, vjen dy muaj pas miratimit të këtij ligji në parlament, për të cilin partia e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka thënë se do ta mbrojë publikun.
Gazetari ishte arrestuar pasi ka shkruar në Twitter për dyshime se një vajzë 14 vjeçare ishte abuzuar seksualisht nga disa burra, duke përfshirë oficerë policie dhe ushtarë. Më pas ai e kishte fshirë shkrimin, duke kërkuar falje për publikimin e tij pa e konfirmuar me autoritetet.
Megjithatë, një gjykatë lokale ka urdhëruar arrestimin e tij, duke vendosur se veprimi i tij mund të çonte në frikë dhe panik në publik si dhe mund të ndikonte në prishjen e paqes duke pasur parasysh audiencën e tij të lartë.
Sipas The Guardian, në deklaratën e tij në gjykatë, Aygul ka thënë se ai kishte korrigjuar gabimin e tij pasi kishte folur me autoritetet, kishte fshirë postimin fillestar në Twitter dhe nuk kishte për qëllim të kryente një krim.
Ndërkohë, avokati i tij, Diyar Orak, ka thënë se ndalimi i gazetarit ishte i paligjshëm.
"Zbatimi i legjislacionit ... i cili u përdor për herë të parë me sa dimë, duke u interpretuar në këtë mënyrë nga gjyqësori na lë të shqetësuar se hetime dhe arrestime të ngjashme do të rriten në të ardhmen," ka thënë ai për Reuters.
Ligji i ri për “dezinformim” parashikon një dënim me burg deri në tre vjet për këdo që përhap informacion të rremë. Partia AK e Erdoganit dhe aleatët e saj nacionalistë kanë shprehur se me këtë ligj synohet luftimi i dezinformimit.

