Lideri i Kamboxhas fiton zgjedhjet pasi ndaloi opozitën të merrte pjesë, kërcënon votuesit që prishin fletëvotimet
Lideri autoritar i Kamboxhas ka paralajmëruar votuesit që kanë prishur fletëvotimet e tyre që të paraqiten në polici ose të përballen me pasoja ligjore, derisa u mbyllën vendvotimet në zgjedhjet ku ai nuk kishte fare kundërkandidat.
Partia e Hun Senit, 70 vjeçar, e ka udhëhequr këtë shtet për më shumë se katër dekada dhe e shpalli fitoren të dielen në mbrëmje.
Nuk ka pasur dyshime se kjo parti do të fitonte, marrë parasysh që partia e vetme opozitare që kishte sado pak forcë për t’i dalë kundër, Partia e Dritës së Qiririt, nuk u lejua të merrte pjesë pasi u akuzuar se nuk kishte ofruar dokumentet e duhura, raporton The Guardian.
Goditja e pushtetit ndaj zërave opozitarë para votimeve la si opsion para njerëzve të pakënaqur prishjen e fletëvotimeve.
“Kemi fituar bindshëm... nuk po mund ta llogarisim numrin e ulëseve ende,”- tha Sok Eysani, zëdhënës i Partisë së Popullit (CPP) në Kamboxha.
Hun Seni, lideri më jetëgjatë në Azi, tha që dalja në zgjedhjet e së dieles ishte 84 për qind.
Ai tash pritet t’i dorëzojë pushtetit djalit më të madh, Hun Manetit.
Phil Robertsoni, zëvendës-drejtor i një organizate që monitoron të drejtat e njeriut në Azi, tha që Hun Seni po “fshinte përfundimisht e plotësisht mbetjet e demokracisë kamboxhiane për të instaluar diktaturën e trashëgueshme...”
Në komente të bëra në rrjete sociale, Hun Seni tha që po prisnin për ta kuptuar se sa fletëvotime ishin prishur.
“Çdo fletëvotim që është shkatërruar (përbën shenjë) të mbështetjes për Partinë e Dritës së Qiririt,” – tha ai.
“Ata që tregojnë se fletëvotimet janë shkatërruar mund t’i rrëfejnë autoriteteve (...) sepse kjo lëvizje për t’i shkatërruar fletëvotimet duhet të përballet me veprime ligjore.”