Liberali Nicusor Dan zgjidhet president i Rumanisë, e mposht djathtistin ekstrem Simion
Kryetari liberal e pro BE-së i Bukureshtit, Nicusor Dan, ka fituar një garë të vështirë me nacionalistin e së djathtës ekstreme, George Simion, për t’u zgjidhur president i Rumanisë pas disa muajve me turbulence politike.
Simion, kryetar i Partisë së të djathtës ekstreme, AUR, e kishte fituar rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më herët këtë muaj, duke shfrytëzuar një valë zemërimi në mesin e rumunëve për shkak të anulimit të zgjedhjeve vitin e kaluar nën dyshimin për ndërhyrje nga Rusia, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, ishte Nicusor Dan-i me gjuhë të butë që fitoi në balotazh, me 54 për qind të votave, edhe pse Simion kishte më shumë mbështetje nga diaspora.
“Ne duhet ta ndërtojmë Rumaninë pavarësisht nga ajo se për kë keni votuar” – tha Dan, porsa fitorja e tij ishte e sigurt.
Më shumë se 11,6 milionë rumunë votuan në balotazhin e së dielës dhe Dan e mori mbështetjen e më shumë se gjashtë milionëve prej tyre.
Matematikani priti deri pas mesnatës para se të mund të ishte plotësisht i sigurt se numrat ishin në anën e tij dhe iu bashkua mbështetësve në një park në Bukuresht.
“Fitoi një komunitet i rumunëve që duan një ndryshim rrënjësor në Rumani” – tha Dan.
Mihai, njëri nga shumë përkrahësit e Danit që ishin grumbulluar para zyrës qendrore të fushatës së tij në kryeqytet, i tha BBC-së se ishte “vërtet i brengosur për (fitoren e) Simionit”.
“Dua që ta zgjedh rrugën pro-evropiane. Është rruga e vetme. Është vërtet me rëndësi” – tha ai.
Simion fillimisht kishte këmbëngulur se po fitonte. “Unë fitova, unë jam presidenti i ri i Rumanisë dhe do t’ua kthej pushtetin rumunëve” – tha ai fillimisht.
Megjithatë, në orët e hershme të së hënës, ai e pranoi humbjen përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”. Një protestë e planifikuar nga përkrahësit e tij pastaj mësa duket u anulua./Nacionale