Libani thotë se dy gazetarë janë vrarë nga një sulm izraelit
Një sulm izraelit në jug të Libanit të martën la të vrarë dy gazetarë që raportonin për televizionin me seli në Bejrut, “Al-Mayadeen TV” gjatë dhunës në zonën kufitare me Izraelin, sipas ministrit të Informacionit dhe këtij televizioni.
Televizioni tha se nga sulmi izraelit u vra edhe një civil libanez, raporton agjencia “Associated Press”.
Televizioni që politikisht është aleat i Hezbollahut i identifikoi gazetarët si korrespondenti Farah Omar dhe kameramani Rabih Maamari, duke thënë se ata ishin “martirizuar nga shënjestrimi i pabesë izraelit”, duke shtuar se ishte sulm ajror.
“Ishte shënjestrim i drejtpërdrejtë. Nuk ishte rastësi”- tha Ghassan bin Jiddo, drejtor i televizionit, duke i mbajtur lotët. Ai shtoi se këta gazetarë u bashkohen “martirëve të Gazës”.
Bin Jiddo tha se në sulm u vra edhe një burrë i fshatit, të cilin e identifikoi si Hussein Akil.
Javën e kaluar, Qeveria e Izraelit e ndaloi transmetimin e televizionit “Al-Mayadeen” në territorin e këtij shteti.
Ministri i Informacionit i Libanit, Ziad Makary, e quajti “mizor” sulmin ndaj gazetarëve. Ushtria izraelite tha se ishte duke e hulumtuar këtë rast.
Mediat lokale raportuan për disa sulme izraelite në jug të Libanit të martën. Agjencia Kombëtare e Lajmeve, e kontrolluar nga shteti, tha se ushtria izraelite kishte sulmuar në periferi të fshatrave Teir Harfa dhe Majdal Zoun, në jug të Libanit.
Kjo agjenci raportoi, gjithashtu, se nga një sulm tjetër në një shtëi në fshatin kufitar, Kfar Kila, la të vrarë një grua 80-vjeçare, Laiqa Serhan, dhe e la të plagosur mbesën e saj, e cila ishte dërguar në spital për trajtim.
