Libani raporton për tre ushtarë të vrarë nga sulmi izraelit në jug - NACIONALE

Libani raporton për tre ushtarë të vrarë nga sulmi izraelit në jug

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ushtria libaneze tha të enjten se tre pjesëtarë të saj u vranë nga një sulm izraelit në një fshat në jug të vendit.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për sulmin e pretenduar. Në të kaluarën, forcat izraelite kanë thënë se nuk janë duke operuar kundër ushtrisë libaneze, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në të kaluarën, Izraeli ka kërkuar falje, kur ka konfirmuar vdekje të ushtarëve libanezë që janë shkaktuar nga forcat e tij.

Ushtarët libanezë u vranë përderisa po evakuonin persona të plagosur në periferi të fshatit Yater, tha ushtria libaneze. Një burim i sigurisë tha se ushtarët u vranë rreth orës 4 e 15 minuta të mëngjesit.

Fshati Yater, që shtrihet afër kufirit libanez me Izraelin, është goditur disa herë nga Izraeli gjatë vitit të fundit, përderisa forcat izraelite po vënë në shënjestër caqe të Hezbollahut.

“Armiku izraelit e vuri në shënjestër personelin e ushtrisë libaneze në afërsi të fshatit Yater, në zonën Bint Kbeil të jugut, përderisa ata ishin duke kryer një operacion për të evakuuar të plagosur, që çoi te vdekja e tre martirëve, përfshirë një oficer” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë libaneze.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Libanit raportoi për një numër të pasaktësuar të të vdekurve nga një sulm “në një shtëpi në Yater”. Kjo agjenci tha se disa anëtarë të ekipeve emergjente u plagosën, kur forca ajrore izraelite sulmoi për herë të dytë, kur ata “po mundoheshin që t’i shpëtonin viktimat”./Nacionale

Lajme të ngjashme