Lakmia për pushtet e zbyth djathtistin Wilders të Holandës, zbutet rreth ndihmave për Ukrainën
Udhëheqësi holandez i së djathtës ekstreme, Geert Wilders, i cili para pak muajve i fitoi zgjedhjet në Holandë, ka sinjalizuar se është i gatshëm për t’i shqyrtuar ndihmat ushtarake për Ukrainën në të ardhmen, pasi të shtunën u tërhoq nga rezistenca e tij e mëparshme për këtë çështje.
Wilders-i, i cili po synon që ta udhëheqë qeverinë e re pas fitimit të zgjedhjeve në nëntor nga partia e tij, PVV, për disa muaj ka argumentuar se Holanda duhet ta ndërpresë furnizimin e Ukrainës me armë, sepse ato i nevojiten për ta mbrojtur veten, raporton agjencia “Reuters”.
Holanda ka qenë njëra nga dhurueset kryesore të ndihmave ushtarake për Ukrainën. Shpenzimet e përgjithshme për këtë qëllim deri në fund të vitit 2024 pritet ta kalojnë shifrën prej 4,5 miliardë eurosh.
Rezistenca e Wilders-it për ndihma të reja ushtarake për Ukrainën ka qenë njëra nga pengesat që deri më tani ia ka parandaluar formimin e një koalicioni qeveritar në tre muajt e parë pas fitores në zgjedhje, por ai e ndryshoi pozicionin përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin X.
“PVV-ja e përkrah Ukrainën dhe është e gatshme për të biseduar për çfarëdo lloji të ndihmës”- shkroi fituesi i zgjedhjeve, duke e quajtur luftën e Rusisë kundër Ukrainës “ilegale dhe barbare”.
De oorlog die Rusland twee jaar geleden begon tegen Oekraïne kan niet anders dan illegaal en barbaars worden genoemd. De PVV steunt Oekraïne en is bereid om over iedere vorm van hulp te praten. Maar een demissionair kabinet kan echt geen akkoord voor tien jaar afsluiten. https://t.co/n2uDUCsGAz
— Geert Wilders (@geertwilderspvv) February 24, 2024
Partnerët e mundshëm të koalicionit nuk e kanë përkrahur asnjëherë qëllimin e deklaruar të Wilders-it për t’ia ndalur ndihmat Ukrainës. Të premten, ata përsëri e theksuan këtë pozicion dhe, në një deklaratë të përbashkët, disa parti opozitare thanë se ato duan që ta vazhdojnë përkrahjen ekonomike, politike dhe ushtarake për Ukrainën “për aq gjatë sa të jetë e nevojshme”.
Kësaj porosie i bëri jehonë edhe kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, përmes një video-mesazhi për Ukrainën me rastin e dyvjetorit të fillimit të pushtimit rus.
“Holanda është me ju. Edhe nëse kjo merr kohë të gjatë dhe edhe nëse është vështirë” – tha Rutte, kandidatura e të cilit për sekretar të ardhshëm të NATO-s këtë javë u mbështet nga ShBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania.
Qeveria në detyrë e Rutte-s, që do të jetë në pushtet derisa të formohet kabineti i ri, tha të premten se së shpejti do të nënshkruajë një marrëveshje 10-vjeçare të sigurisë me Ukrainën, për ta garantuar ndihmën në të ardhmen.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli