Kush janë vajzat e Putinit që u sanksionuan nga ShBA?
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka qenë gjithmonë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për pyetjet rreth familjes së tij.
Gjatë një konference për shtyp në vitin 2015, ai shmangu të gjitha pyetjet në lidhje me identitetin e vajzave të tij.
“Vajzat e mia jetojnë në Rusi dhe studiojnë vetëm në Rusi, jam krenar për to”, tha ai. "Ato flasin rrjedhshëm tre gjuhë të huaja. Por, unë kurrë nuk e diskutoj familjen time me askënd."
Megjithëse ai nuk dëshiron të flasë për to, të tjerët e kanë bërë. Raundi i fundit i sanksioneve të ShBA-së, ka shënjestruar dy vajzat e tij, Maria Vorontsova, 36 vjeç, dhe Katerina Tikhonova, 35 vjeç.
"Ne besojmë se shumë nga pasuritë e Putinit janë të fshehura te anëtarët e familjes dhe kjo është arsyeja pse ne po i synojmë ato," tha një zyrtar amerikan.
Edhe pse ka shumë pak të dhëna zyrtare për jetën familjare të Presidentit Putin - dokumente, raporte në media dhe deklarata të herëpashershme publike janë të mjaftueshme për të siguruar një portret të familjes së tij.
Të dyja vajzat e lartpërmendura, janë nga martesa e Putinit me ish-bashkëshorten e tij Lyudmila. Dyshja u martuan në vitin 1983 kur Lyudmila ishte stjuardesë dhe Putin ishte oficer i KGB-së. Martesa e tyre zgjati 30 vjet, duke përfshirë edhe ngritjen e shpejtë të Putinit në krye të sistemit politik të Rusisë.
Ata u ndanë në vitin 2013, ku Putin tha se "ishte një vendim i përbashkët". Ndërsa, Lyudmila tha se Putini ishte "i mbytur plotësisht në punë".

Maria Vorontsova, vajza e madhe e Putinit, lindi në vitin 1985. Ajo ka studiuar biologji në Universitetin e Shën Petersburgut dhe mjekësi në Universitetin Shtetëror të Moskës.
Zonja Vorontsova tani është një akademike, e specializuar në sistemin endokrin. Ajo ka shkruar një libër mbi ngecjen e rritjes tek fëmijët dhe renditet si studiuese në Qendrën Kërkimore të Endokrinologjisë në Moskë.
Ajo është gjithashtu një biznesmene, pasi që BBC Rusia e ka identifikuar Vorontsovën si bashkëpronare të një kompanie që planifikonte të ndërtonte një qendër masive mjekësore.
Vorontsova është e martuar me biznesmenin holandez Jorrit Joost Faassen, i cili dikur ka punuar në gjigantin shtetëror rus të energjisë Gazprom, megjithëse tani thuhet se ata janë ndarë.
Njerëzit që kanë folur me të që nga pushtimi i Ukrainës thonë se ajo mbështet babanë e saj dhe ka hedhur dyshime mbi raportimin ndërkombëtar të konfliktit.

Krahasuar me motrën e saj, vajza e dytë e Putinit Katerina Tikhonova, ka qenë shumë më shumë në sy të publikut për shkak të talentit të saj si kërcimtare rock n' roll. Ajo dhe partneri i saj dolën të pestën në një ngjarje ndërkombëtare në vitin 2013.
Po atë vit, Tikhonova u martua me Kirill Shamalov, djalin e një miku prej kohësh të Presidentit Putin. Dasma e tyre u mbajt në një resort ekskluziv afër Shën Petersburg. Punëtorët atje thanë se çifti mbërriti me një sajë të tërhequr nga tre kuaj të bardhë.
Bashkëshorti i saj Shamalov u sanksionua nga SHBA në vitin 2018 për rolin e tij në sektorin energjetik të Rusisë. Thesari i SHBA-së tha se "pasuria e tij u rrit në mënyrë drastike pas martesës". Është bërë e ditur se tashmë dyshja janë të ndarë.
Zonja Tikhonova tani është në akademi dhe biznes. Ajo bëri një paraqitje të shkurtër në mediat shtetërore ruse në vitin 2018 për të folur për neuroteknologjinë dhe gjithashtu në një forum biznesi në vitin 2021. Megjithatë, në asnjë nga rastet nuk është përmendur marrëdhënia e saj me presidentin rus.
Thuhet se asnjëra nga vajzat nuk kalon shumë kohë me Putinin.
Vladimir Putin ka edhe nipër e mbesa. Ai i përmendi ata në një telefonatë në vitin 2017, por nuk dha detaje se sa nipër kishte ose të cilës nga vajzat ishin fëmijët.
"Sa i përket nipërve të mi, njëri është tashmë në çerdhe. Ju lutem kuptoni, nuk dua që ata të rriten si disa princa mbretërorë. Unë dua që ata të rriten si njerëz normalë," tha ai.