Kush është Muharrem Inxhe, rebeli opozitar që mund t’ia zgjasë pushtetin Erdoganit? - NACIONALE

Kush është Muharrem Inxhe, rebeli opozitar që mund t’ia zgjasë pushtetin Erdoganit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një kandidat presidencial, i cili kishte humbur në garë me Erdoganin më 2018, mund t’i çojë në balotazh zgjedhjet e majit në Turqi, duke ia shtuar potencialisht gjasat për fitore presidentit Rexhet Erdogan, sipas analistëve dhe anketave.

Muharrem Inxhe, dikur anëtar i partisë kryesore opozitare, CHP, u bë pjesë e mosmarrëveshjes së opozitës muajin e kaluar dhe iu vendos emri në fletën e votimit, duke shkaktuar shqetësim në mesin e kundërshtarëve të Erdoganit për ndarje të votave të opozitës, raporton agjencia “Reuters”.

Sipas disa sondazheve, Inxhe gëzon përkrahje prej më shumë se 5 për qind, ndërsa në një anketë të muajit të kaluar nga kompania “Panoramatr”, ai mori 10 për qind të përkrahjes.

Organizatorët e sondazheve dhe analistët thonë se përkrahësit e tij do ta kishin votuar kryetarin e CHP-së dhe rivalin kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu, i cili është kandidati kryesor i opozitës.

“Pasoja themelore e (kandidaturës) së Inxhes është dërgimi i zgjedhjeve në balotazh”- i tha agjencisë “Reuters” drejtori hulumtues i kompanisë “Panoramatr”, Osman Sert.

Ai tha se përkrahja për Inxhen mund të bjerë nga 10-përqindëshi, ku ka qëndruar kryesisht gjatë muajit të kaluar, me afrimin e zgjedhjeve. “Por edhe nëse ka shkrirje të tillë, ajo nuk do ta parandalonte rundin e dytë të zgjedhjeve”- tha Sert-i.

Disa analistë thonë se Inxhe mund të arrijë një marrëveshje me Kilicdaroglu-n dhe të tërhiqet para zgjedhjeve për ta fuqizuar opozitën, e cila, sipas anketave, ende ka epërsi ndaj Erdoganit.

Megjithatë, Inxhe ka dhënë shenjë se nuk do të dorëzohet para presionit të tillë.

“Nuk ka asnjë situatë që do të na kërkonte ne që të tërhiqeshim dhe teknikisht kjo nuk është e mundshme”- tha ai të hënën në televizionin “Haberturk”, duke theksuar se tërheqja zyrtare e shortit të shtunën e ka formalizuar praninë e tij në fletat e votimit.

Inxhe, fjalimet e hapura dhe vallëzimi i atypëratyshëm i së cilit kanë marrë vëmendje në rrjete sociale, dha dorëheqje nga CHP-ja para dy viteve dhe e themeloi partinë Atdheu, pasi dy herë kishte dështuar që të bëhej kryetar i CHP-së.

“Ata po thonë: Muharrem Inxhe, tërhiqu. Shqetësimi i tyre i vetëm është: Do t’i humbim zgjedhjet, le ta shpallim tani partinë fajtore”- tha ai në televizionin “Haberturk”, duke iu referuar kritikave të opozitës.

Një zyrtar i lartë i partisë opozitare, duke refuzuar që të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se kandidatura e Inxhes do ta bëjë të vështirë mposhtjen e Erdoganit në rundin e parë, por se kjo mund të tejkalohet, nëse përkrahja për të dhe për një kandidat tjetër, Sinan Ogan, bie afër 5-përqindëshit deri në ditën e zgjedhjeve, siç pret aleanca opozitare.

Një zyrtar i lartë i partisë së Erdoganit, AK Parti, tha se sipas anketave të brendshme të kësaj partie, përkrahja për Inxhen është rreth 8 – 9 për qind, por nuk i ofroi të dhënat.

Nëse asnjëri kandidat për president nuk merr më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 majit, dy kandidatët me më së shumti vota do të garojnë në rundin e dytë dy javë më pas.

Lajme të ngjashme