Kurdët e Turqisë mund t’ia marrin Erdoganit fitoren nga duart në zgjedhjet e Stambollit
Shumë prej kurdëve të Turqisë pritet që ta lënë anash besnikërinë partiake dhe ta përkrahin rivalin e rëndësishëm të Erdoganit në zgjedhjet lokale të Stambollit të dielën, duke e goditur shpresën e presidentit turk për ta kthyer nën kontroll qytetin që dikur e udhëhiqte, sipas anketave.
Votuesit e partisë pro-kurde DEM ishin shumë të rëndësishëm për fitoren e kryetarit Ekrem Imamoglu në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të cilat e kishin shokuar Erdoganin dhe i kishin dhënë fund pushtetit 25-vjeçar të partisë së tij dhe parardhësve të saj islamistë në Stamboll. Kjo fitore i kishte dhënë opozitës pikëmbështetje kritike në pushtet gjatë pesë viteve të fundit, raporton agjencia “Reuters”.
Në Stamboll, anketat tregojnë se Imamoglu i Partisë Popullore Republikane dhe sfiduesi i tij nga AKP-ja janë në garë të ngushtë, ndërsa në vend të tretë është kandidati i DEM-it. Kjo i ka lënë përkrahësit e partisë kurde në dilemë: a duhet të votojnë me kokë a me zemër?
“Ata janë të hutuar e të pavendosur” – sipas Yuksel Genc nga kompania e sondazheve “Samer”, i cili tha se 40 për qind e përkrahësve të DEM-it kishin dhënë shenjë se do ta votojmë Imamoglun. “Ata po e shqyrtojnë votën për kandidatin e partisë së tyre, por nuk duan që AKP-ja të fitojë” – tha ai.
Qeveria e Erdoganit i ka shtypur partitë kurde nga kolapsi i procesit të paqes më 2015, me të cilin synohej që t’i jepej fund kryengritjes së vjetër me dekada nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e paligjshme në Turqi.
DEM-i, partia e tretë më e madhe parlamentare me rreth 10 për qind të ulëseve, është pasardhëse e HDP-së që ballafaqohet me mbyllje të mundshme në një proces gjyqësor rreth lidhjeve të dyshimta me militantë, të cilat partia i ka mohuar.
“Mendoj se në një mjedis si Diyarbakiri, është e nevojshme që të votohet për DEM-in, por në Stamboll do të votoja për Ekrem Imamoglun” – tha pensionisti Mehmet Fatih Sutcu gjatë festimit të festivalit kurd të pranverës në Diyarbakir.
Roj Girasun, drejtor i kompanisë “Rawest Research”, tha se DEM-i dhe CHP-ja kishin arritur një marrëveshje për disa fusha në Stamboll, duke ua bërë më të lehtë votuesve të DEM-it që ta përkrahin Imamoglun dhe rreth gjysma e tyre janë të prirur për ta bërë këtë.