Kuleba në Kinë, Kievi e shtyn Pekinin për ta ndihmuar përfundimin e luftës - NACIONALE

Kuleba në Kinë, Kievi e shtyn Pekinin për ta ndihmuar përfundimin e luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, u takua të mërkurën me homologun kinez, Wang Yi, për të zhvilluar bisedime që e sinjalizuan gatishmërinë e shtuar të Kievit për të arritur një zgjidhje diplomatike për luftën me Rusinë dhe për ta nxitur Kinën që të luajë rol më qendror në këtë përpjekje.

“Unë jam i bindur që një paqe e drejtë në Ukrainë është në interesat strategjike të Kinës” – tha Kuleba në një deklaratë pas takimit me kryediplomatin kinez në qytetin jugor të Kinës, Guangzhou. “Roli i Kinës si forcë globale për paqe është i rëndësishëm” – shtoi ministri ukrainas, raporton gazeta “The New York Times”.

Kuleba bëri të qartë se Ukraina u vë kushte bisedimeve të tilla, duke thënë se vendi i tij do të angazhohej me Rusinë vetëm kur Moska të jetë “e gatshme për të biseduar në mirëbesim”. Ai shtoi: “Tash për tash nuk shihet një gatishmëri e tillë te pala ruse.”

Kryediplomati ukrainas e vizitoi Kinën për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Vizita e tij vjen në kohën kur Ukraina po humb ngadalë terren në luftë dhe ballafaqohet me paqartësi të shtuar rreth nivelit të mbështetjes që do ta ketë nga Perëndimi. Moska dhe Kievi zhvilluan shkurt bisedime të paqes në pranverën e vitit 2022, por ato dështuan shpejt për shkak të çështjeve kritike.

Për Kinën, pritja e Kulebas e pasqyron ambicien e vendit për të luajtur rol më të madh në sfidat globale të sigurisë si kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara. Vizita e zyrtarit ukrainas shërben edhe për t’i hedhur poshtë kritikat e Perëndimit për afërsinë e Pekinit me Rusinë.

Ministri kinez tha se Kina është e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën, duke shtuar se përderisa ende nuk ishte koha e duhur, Moska dhe Kievi kishin “dërguar sinjale të gatishmërisë së tyre për të biseduar në shkallë të ndryshme”, sipas një publikimi të Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë e refuzojnë idenë se Rusia është e hapur për bisedime të paqes në mirëbesim. Ata i përshkruajnë porositë e shpeshta të Kremlinit për bisedime si mashtrim propagande i hartuar për ta errësuar vendosmërinë e Rusisë që ta detyrojë Ukrainën për të kapitulluar.

Lajme të ngjashme