Kufomat e ushtarëve rusë e mbushin rrugën që çon në fshatin e çliruar ukrainas
Rruga për në fshatin ukrainas të çliruar rishtazi, Storozheve, është e mbushur me kufoma të ushtarëve rusë dhe automjete të blinduara që janë djegur.
Skenat e lemerishme janë dëshmi e ashpërsisë së luftimeve, përderisa trupat ukrainase i rimorën Storozheven dhe disa fshatra të tjera në ditët e fundit si pjesë e kundërsulmit në pjesët jugore dhe lindore të vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Disa prej ushtarëve të vdekur rusë u panë në tokën pluhurore pranë automjeteve të shkatërruara, kur gazetarët e agjencisë “Reuters” shkuan në këtë fshat të mërkurën. Disa të tjerë ishin në bar dhe në fushat ku kishin vdekur.
Brenda fshatit, shtëpitë e vogla njëkatëshe, që shtrihen në radhë përgjatë rrugës, janë dëmtuar rëndë nga bombardimet. Kulmet e tyre janë shkatërruar plotësisht ose kanë vrima të gjera.
Një karrocë e braktisur fëmijësh shihet e kthyer mbrapsht anash rrugës. Fshati ishte i qetë, banorët ishin larguar ose nuk shiheshin.
“Para tri ditëve, ne e çliruam fshatin Storozheve. Mund të shihni vetë se si është arritur kjo. Mund t’i shihni pajisjet e shkatërruara. Lavdi Ukrainës”- tha një ushtar ukrainas i prezantuar si Artem në Storozheve.
Në një fotografi të publikuar të hënën, ushtarët ukrainas shihen duke e mbajtur flamurin e vendit të tyre përballë një shtëpie të dëmtuar në Storozheve.
Fshati ishte i pushtuar nga rusët nga marsi i vitit të kaluar, një muaj pas fillimit të pushtimit rus.
Ushtarët ukrainas thanë se rreth 50 trupa ruse u vranë dhe katër janë kapur si të burgosur. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë numrin e ushtarëve të vrarë rusë, edhe pse kufomat ende shiheshin në rrugë dhe në fushat e fshatit.
