“Kufiri i Gjelbër” – Filmi për refugjatët sirianë që po e dridh Poloninë, sulmohet nga pushteti - NACIONALE

“Kufiri i Gjelbër” – Filmi për refugjatët sirianë që po e dridh Poloninë, sulmohet nga pushteti

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një film i shpërblyer, me qasje dukshëm kritike për qëndrimin e Qeverisë së Polonisë ndaj refugjatëve, ka filluar të shfaqet nëpër kinematë e këtij shteti, pasi ishte sulmuar nga anëtarë të pushtetit.

“Kufiri i Gjelbër”, film i regjisores Agnieszka Holland, e fitoi çmimin e veçantë të jurisë në Venecia muajin e kaluar. Aty paraqitet rrëfimi për një familje siriane që mundohet të arrijë në vendet evropiane me mirëqenie të lartë përmes kufirit Bjellorusi – Poloni më 2021 dhe për trajtimin brutal me të cilin familja ballafaqohet në duart e rojave kufitare polake, raporton gazeta “The Guardian”.

Ministri i Drejtësisë i Polonisë, Zbigniew Ziobro, e ka krahasuar këtë film me filmat propagandues nazistë, “që i shfaq polakët si banditë dhe vrasës”, edhe pse ka pranuar që as nuk e ka shikuar filmin. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blazej Pobozy, e ka quajtur filmin “shpifje të ndryrë” që është “e dëmshme për shtetin polak dhe për polakët”.

Përmes një interviste me telefon, regjisorja Holland tha se reagimet e ashpra të autoriteteve polake e kanë zënë në befasi. “Prisja valë të urrejtjes e propagandës e mohimit, por, në vend të valëve, kemi cunami. Nuk prisja që brenda pak ditëve, tri ose katër herë, ministrat e Drejtësisë, Punëve të Brendshme, presidenti i vendit dhe shumë të tjerë të më sulmonin në nivel të këtillë të urrejtjes dhe agresionit”- tha ajo.

Sipas zonjës Holland, çështja e migrimit “është njëra nga sfidat më të rëndësishme për të ardhmen e Evropës dhe për botën” dhe se ajo ishte motivuar për ta bërë këtë film nga zemërimi se si autoritetet ishin kundërpërgjigjur ndaj dukurisë që Polonia po bëhej rrugë e emigrantëve para dy vjetëve.

“Pashë që autoritetet u munduan të organizonin një laborator të gënjeshtrave e dhunës dhe të përfitonin politikisht nga mjerimi i njerëzve”- tha ajo.

Duke folur për vlerësimin pozitiv të filmit nga disa polakë, kryeministri i vendit, Mateusz Morawiecki, tha: “Ky tepih i kuq është vetëm pamje paraprake e tepihut të kuq që PO-ja (partia kryesore opozitare) do t’ua shtrojë emigrantëve ilegalë, një tepih i kuq që rrezikon ta destabilizojë vendin tonë.”

Aktivistët thonë se të paktën 49 persona kanë vdekur dhe 200 të tjerë janë të zhdukur që nga fillimi i krizës në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë më 2021 dhe se njerëzit po vdesin në kufi edhe tani.

Një karakter në film është rojë kufitare që tmerrohet dhe traumatizohet nga gjërat që detyrohet t’i bëjë dhe nga qëndrimet e kolegëve të tij. “Edhe rojat kufitare i konsideroj viktima, janë detyruar që ta thyejnë ligjin dhe të bëjnë gjëra për të cilat nuk janë të trajnuar”- tha regjistroja.

Lajme të ngjashme