Kufiri i çmimit të gazit e përçan BE-në, 12 shtete e kritikojnë propozimin e ri
Dymbëdhjetë shtete, përfshirë Italinë, Poloninë, Belgjikën e Slloveninë, kanë kërkuar që të bëhet ulje “domethënëse” e kufirit të planifikuar të çmimit të gazit nga Bashkimi Evropian, kur blloku po përpiqet të arrijë një marrëveshje për këtë masë.
Shtetet e Bashkimit Evropian janë duke zhvilluar bisedime urgjente të shtunën në përpjekje për të arritur marrëveshje për kufirin e çmimit të gazit në takimin e 13 dhjetorit të ministrave të energjisë, por shtetet mbeten të ndara për këtë plan, raporton agjencia “Reuters”, përcjell Nacionale.
Dymbëdhjetë shtete të Bashkimit Evropian kanë vënë në qarkullim një letër me të cilën po kërkojnë që kufiri i çmimit të gazit të jetë “në masë domethënëse” më i ulët se kompromisi i fundit që po negociohet nga vendet e bllokut.
“Teksti nuk ka shkuar mjaftueshëm larg drejt atij që ne e quajmë kompromis të kënaqshëm”- thuhet në letrën e dymbëdhjetë shteteve të BE-së: Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Rumania, Sllovenia dhe Sllovakia.
Shtetet e BE-së kanë pasur mosmarrëveshje me muaj për të vendosur ose jo kufi të çmimit të gazit, por deri më tani kanë dështuar që t’i përafrojnë dallimet mes vete.
Disa diplomatë janë skeptikë se mund të arrihet marrëveshje javën e ardhshme. Disa prej tyre kanë theksuar se shtetet që janë të pakënaqura me propozimin e fundit kanë përkrahje të mjaftueshme për ta bllokuar miratimin e tij.
Çmimet e gazit në Evropë janë rritur mjaft shumë këtë vit, pasi Rusia e pakësoi furnizimin e vendeve pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, duke shkaktuar rritje të çmimeve e inflacion.
Por përderisa vendet pro kufirit të çmimit thonë se kjo masë do t’i mbronte ekonomitë e tyre nga kostot e larta të energjisë, Gjermania – ekonomia më e madhe dhe tregu më i madh i gazit në Evropë – dhe Holanda e kanë kundërshtuar kufirin e çmimit të gazit, duke paralajmëruar se kjo masë do të mund ta pengonte funksionimin e tregjeve të energjisë dhe t’i ndalojë prodhuesit e gazit që ta dërgojnë karburantin shumë të nevojshëm në Evropë.
Sipas propozimit të fundit që po diskutohet nga shtetet e BE-së, kufiri i çmimit të gazit do të aktivizohej në rast se çmimi shkon në mbi 220 euro për megavatë orë për pesë ditë. Ky numër është më i ulët se shifra shuma prej 275 eurosh për megavatë orë, që është propozuar nga Komisioni Evropian, por 12 shtete kanë thënë se ky kufi ende nuk është mjaftueshëm i ulët.

