Kryhet armëpushimi: Rinisin sulmet e Izraelit në Gaza, raportohet për të vrarë - NACIONALE

Kryhet armëpushimi: Rinisin sulmet e Izraelit në Gaza, raportohet për të vrarë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pasi ishte vazhduar dy herë – një herë për dy ditë e një herë për 24 orë – armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit ka përfunduar të premten herët. Raportohet se forcat izraelite i kanë rinisur sulmet në Gaza. Sipas palestinezëve, janë regjistruar viktimat e para.

Të paktën gjashtë palestinezë u vranë të premten në mëngjes nga një sulm ajror izraelit në qytetin Rafah, që shtrihet në jug të Gazës, i tha agjencisë AFP një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë, që kontrollohet nga Hamasi, raporton televizioni BBC.

Në një rast tjetër, AFP-ja raportoi se dy fëmijë u vranë nga sulmet ajrore në qytetin Gaza, në veri në enklavës. Agjencia franceze e lajmeve e citoi mjekun Fadel Naim, që punon në spitalin “Al-Ahli”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Hamasi nuk është pajtuar për të liruar më shumë pengje dhe se ky qëndrim i shkel kushtet e armëpushimit.

Hamasi nuk i ka liruar të gjitha pengjet gra, siç ishte marrëveshja, dhe e sulmoi Izraelin me raketa këtë mëngjes, shtoi zyra e Netanyahut.

Përmes një deklarate në rrjete sociale, zyra e tij thotë se Izraeli mbetet i përkushtuar për arritjen e objektivave të veta: lirimi i pengjeve, eliminimi i Hamasit dhe “për t’u siguruar që Gaza nuk do të paraqesë kurrë më rrezik për banorët e Izraelit”.

Një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet mes palëve i ka thënë BBC-së se ndërmjetësuesit po i vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, edhe pse luftimet po vazhdojnë.

Rinisja e luftimeve vjen pas armëpushimit 7-ditor, afati i të cilit përfundoi të premten në orën 7 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Ministria e Brendshme në Gaza, që menaxhohet nga Hamasit, tha se shumë zona janë goditur nga sulmet ajrore izraelite.

Përmes armëpushimit të përkohshëm është siguruar lirimi i mbi 100 pengjeve që mbaheshin në Gaza, por edhe 140 të tjera mbeten në duart e grupeve palestineze.

Rifillimi i armiqësive pritet që ta përkeqësojë krizën humanitare në Gaza, kur edhe ashtu kishte mungesë furnizimesh.

Lajme të ngjashme