Kryetari i Londrës e çmon fitoren e Mamdanit: Njujorkezët e zgjodhën shpresën para frikës - NACIONALE

Kryetari i Londrës e çmon fitoren e Mamdanit: Njujorkezët e zgjodhën shpresën para frikës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, të mërkurën e quajti “fitore fantastike” triumfin e Zohran Mamdanit në garën për kryetar të Nju-Jorkut dhe i përgëzoi banorët e qytetit të famshëm amerikan që e zgjodhën “shpresën para frikës”.

Mamdani, socialdemokrat 34-vjeçar, e siguroi fitoren duke u zotuar për rritje taksash ndaj korporatave dhe që të pasurit të detyrohen të paguajnë për politika ambicioze majtiste si qiratë e ngrira, kujdesi falas për fëmijët dhe trafiku urban falas, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo fitore do ta bëjë Mamdanin kryetarin e parë mysliman të qytetit më të madh të Shteteve të Bashkuara, duke i ndjekur hapat e Khanit, i cili ishte bërë kryetari i parë mysliman i një kryeqytetit të rëndësishëm perëndimor, kur e shënoi të parën nga tri fitoret e tij në kryeqytetin britanik më 2016.

“Unë dyshoj se arsyeja pse Zohrani fitoi me një shumicë kaq të madhe ishte që njerëzit mund të ndërlidheshin me atë që ai po e thoshte” – tha Khani, i cili shtoi se, njësoj si Mamdani, edhe ai ishte ballafaquar me islamofobinë nga kundërshtarët, kur e kishte fituar garën për udhëheqjen e Londrës për herë të parë më 2016.

Kryetari i Londrës, njësoj si Mamdani, gjithashtu është kritikuar më parë nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili londinezin e ka quajtur “humbës i ftohtë akull” dhe ka pretenduar se ai donte ta zbatonte sheriatin në Londër.

Khani, i cili i ka fituar zgjedhjet edhe në vitet 2021 e 2024, në shtator tha se presidenti amerikan është racist, seksist, mizogjen dhe islamofob./Nacionale

Lajme të ngjashme