Kryespiuni rus paralajmëron hakmarrje ndaj shteteve të NATO-s që i lehtësojnë sulmet ukrainase
Rusia do të hakmerret kundër shteteve të NATO-s që lehtësojnë sulme raketore me rreze të gjatë kundër territorit rus nga Ukraina, tha në një intervistë të publikuar të mërkurën shefi i inteligjencës së jashtme ruse, Sergei Naryshkin.
Sipas tij, ndryshimet e njoftuara nga presidenti rus, Vladimir Putin, në doktrinën bërthamore të Rusisë nënkuptojnë që praktikisht është e pamundshme që të mposhtet Rusia në fushën e betejës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Armiqtë tanë janë të detyruar që të pranojnë se vendosmëria e presidentit rus që në mënyrë të vendosur t’i mbrojë interesat themelore të vendit me të gjitha mjetet në dispozicion e ngushton hapësirën për manovrim për Uashingtonin dhe Brukselin” – tha ai në intervistën për revistën “National Defence”.
“Përpjekjet nga aleatë të NATO-s veç e veç për të marrë pjesë në ofrimin e sulmeve të mundshme me rreze të gjatë me armë perëndimore thellë në territorin rus nuk do të kalojnë pa u ndëshkuar” – shtoi ai.
Ukraina përdori raketa amerikane të sistemit ATACMS për të sulmuar territor rus të martën, duke e shfrytëzuar lejen e dhënë rishtazi nga administrata amerikane në largim e presidentit Joe Biden në ditën e njëmijtë të luftës në Ukrainë.
Në të njëjtën ditë, Putini miratoi një dokument politikash që e ul pragun e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia si kundërpërgjigje ndaj sulmeve me armë konvencionale nga armiqtë.
“Elitat ushtarake e politike të Perëndimit po bëhen gjithnjë më të vetëdijshme për seriozitetin e synimeve të Rusisë dhe për nevojën për frenim më të madh në veprimet e tyre me qëllim të shmangies së përfshirjes në një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak me vendin tonë, që do të mund të çonte në pasoja katastrofale për ta” – tha Naryshkini.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së ka thënë se nuk ka parë ndonjë arsye për ta ndryshuar politikën bërthamore të Shteteve të Bashkuara./Nacionale