Kryeministri sllovak e pranon ftesën e Putinit për Ditën e Fitores në Moskë
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha të mërkurën se do të marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Luftës së Dytë Botërore në Moskë në maj të vitit të ardhshëm, pasi e ka pranuar ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin.
Fico, qeveria e të cilit është munduar që t’i përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë pavarësisht nga pushtimi i Ukrainës, në të kaluarën ka folur për dëshirën e tij që të marrë pjesë në organizimet në Moskë vitin e ardhshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të mërkurën, Fico tha se kishte pranuar një ftesë zyrtare.
“Është e natyrshme që si kryeministër i Republikës së Sllovakisë, unë kam interesim të shquar për të marrë pjesë në festimet zyrtare të fitores kundër fashizmit, që do të mbahen më 9 maj 2025 në Moskë” – shkroi kryeministri sllovak në rrjetin “Facebook”.
“Prandaj, isha i kënaqur që e pranova ftesën zyrtare të presidentit të Federatës Ruse, V. Putin, për të marrë pjesë në këto festime të rëndësishme, gjë që do ta bëj” – shtoi ai.
Qeveria sllovake tha të mërkurën se Fico kishte biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe se shumica e telefonatës ishte përqendruar rreth luftës në Ukrainë, shtet që kufizohet me Sllovakinë.
Pas ardhjen në pushtet para më shumë se një vit, qeveria majtiste e nacionaliste e Ficos menjëherë ia ndërpreu ndihmat ushtarake Ukrainës, por e lejoi vazhdimin e shitjeve komerciale. Ajo ka argumentuar se dërgesat e armëve po e zgjatin luftën në Ukrainë./Nacionale