Kryeministri polak thotë se bisedimet e paqes për Ukrainën mund të nisin këtë dimër
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të martën se bisedimet e paqes për përfundimin e luftës në Ukrainë mund të fillojnë këtë dimër. Ai përmendi një varg takimesh të planifikuara, kur Varshava po synon që të luajë rol udhëheqës në përfundimin e konfliktit.
Polonia ka qenë njëra nga mbështetëset më të palëkundura të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kryeministri Tusk tha se Varshava do të përfshihej thellë në çfarëdo negociate, kur ta marrë presidencën e përkohshme të BE-së nga 1 janari, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Unë do të kem një varg bisedimesh në lidhje kryesisht me situatën përtej kufirit tonë lindor” – tha Tusku në një takim qeveritar.
“Siç mund të imagjinoni, delegacioni ynë do të jetë bashkëpërgjegjës, mes tjerash, për atë se si do të duket kalendari politik, ndoshta [edhe për atë se] si do të jetë situata gjatë bisedimeve, të cilat, edhe pse ende është një pikëpyetje, mund të nisin në dimrin e këtij viti” – shtoi ai.
Tusku tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, do ta vizitojë Varshavën të enjten për të dhënë një raport rreth bisedimeve me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Paris fundjavën që shkoi.
Polaku tha se është në kontakt të vazhdueshëm me aleatët e Varshavës në Skandinavi dhe vendet e Baltikut dhe se kryeministri britanik, Keir Starmer, do ta vizitojë Poloninë në ditët e para të presidencës polake të BE-së.
“Unë vërtet dua që Polonia të jetë shteti që nuk do të jetë vetëm i pranishëm, por do ta caktojë tonin për këto vendime që do të na sjellin siguri dhe do t’i sigurojnë interesat polake” – tha më tej Tusku.
Kremlini tha të martën se lufta e Ukrainës do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet e caktuara nga presidenti rus, Vladimir Putin – qoftë përmes veprimeve ushtarake, qoftë përmes bisedimeve./Nacionale