Kryeministri i Pakistanit zotohet për hakmarrje për “secilën pikë gjaku” kundër Indisë - NACIONALE

Kryeministri i Pakistanit zotohet për hakmarrje për “secilën pikë gjaku” kundër Indisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka premtuar se do të nxirret haku për vdekjen e 31 personave të vrarë gjatë sulmeve raketore të forcave ajrore indiane, duke e shtuar frikën për një konflikt që mund të eskalojë mes dy shteteve që kanë armë bërthamore.

Në një adresim para popullit të mërkurën vonë, Sharifi tha: “Ne e bëjmë këtë zotim, se do të nxjerrim hak për secilën pikë të gjakut të këtyre martirëve”, raporton gazeta “The Guardian”.

Komentet e tij erdhën pasi Qeveria e Pakistanit e akuzoi Indinë për “ndezjen e një ferri” me sulmet ndaj nëntë pozicioneve në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën Punjab si dhe e autorizoi ushtrinë që të ndërmerrte veprime hakmarrëse “përkatëse” kundër Indisë.

Në një intervistë me gazetën “The Guardian” në Islamabad, zëvendëskryeministri pakistanez, Ishaq Dar, i cili gjithashtu e mban postin e ministrit të Punëve të Jashtme, tha se vendi i tij do të shkojë në “çfarëdo shkalle” për ta mbrojtur dinjitetin e vet.

“Ne e rezervojmë të drejtën për t’i autorizuar forcat e armatosura që të ndërmarrin çfarëdo veprimi të duhur si kundërpërgjigje dhe ato (veprime) do të jenë të matura, proporcionale dhe të përgjegjshme” – shtoi kryediplomati pakistanez.

Megjithatë, ai refuzoi që të përmendte ndonjë afat kohor për masat hakmarrëse, por tha se planet do të drejtohen nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë pakistaneze, Gjeneral Asim Munir, i cili do të konsultohet me koalicionin qeverisës.

“Se çfarë masash mund të marrim, kur e ku, mendoj se është herët të diskutohet në këtë fazë. Nuk ka kohë minimale apo maksimale të kundërpërgjigjes” – tha më tej zyrtari i lartë pakistanez.

Ministri i Jashtëm gjithashtu e shprehu zemërimin e tij komunitetit ndërkombëtar, i cili deri më tani ka ngurruar që të përfshihet në përplasjen më të re mes Indisë e Pakistanit, përpos thirrjeve për vetëpërmbajtje. Sipas Dar-it, thirrjet e Pakistanit për asistencë në kryerjen e një hetimi të pavarur për sulmet në Kashmir kanë ngelur pa përgjigje./Nacionale

Lajme të ngjashme