Kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss apo Rishi Sunak? - NACIONALE

Kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss apo Rishi Sunak?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Gjatë ditës së sotme do të zbulohet pasardhësi i Boris Johnson si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas anketave duket se fituesja e konkursit të lidershipit do të jetë Liz Truss dhe fitorja e saj do të shpallet zyrtarisht në orën 12:30, ndërsa do të marrë detyrën ditën e martë.

BBC shkruan se, kryeministri i ri do të trashëgojë një ekonomi në rënie, me inflacion në nivelin më të lartë të 40 viteve dhe faturat e larta të energjisë.

Megjithatë, Truss ka premtuar të "veprojë menjëherë" për të ndihmuar me kostot e energjisë.

Përmes një njoftimi të enjten, ajo ka thënë se një paketë mbështetëse do të jetë një ndër veprimet e saj të para si kryeministre.

Sipas BBC-së, Truss ka punuar për paketën e saj të energjisë për javë të tëra, ndërsa planifikon të japë 30 miliardë funte në ulje taksash përmes një buxheti emergjent më vonë këtë muaj, duke argumentuar se barra tatimore e MB qëndron pas rritjes së ngadaltë.

Ndërkohë, kancelari i pritshëm i Truss, Kwasi Kwarteng, ka argumentuar se axhenda e saj e uljes së taksave do të nxisë investimet e biznesit dhe rritjen ekonomike.

Duke shkruar në Financial Times, ai fajësoi "manaxherializmin ekonomik" për vitet e rritjes së ulët, duke shtuar se "ne duhet të jemi vendimtarë dhe t'i bëjmë gjërat ndryshe".

Në anën tjetër, Sunak, ka kritikuar planet e saj për uljen e taksave gjatë konkursit njëjavor, duke argumentuar se ato do të rrezikonin financat publike.

Gara shtatë-javore e lidershipit i jep fund tre viteve të trazuara të Johnson në detyrë dhe ka parë që kandidatët të sulmojnë rregullisht politikat e njëri-tjetrit.

Kujtojmë se, Johnson u detyrua të largohej në korrik nga një revoltë ministrore për një varg skandalesh, pak më shumë se dy vjet e gjysmë pasi udhëhoqi konservatorët drejt një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e 2019-ës.

Në ditën e tij të fundit në detyrë, Johnson do të flasë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pritet të mbajë një fjalim lamtumire pas largimit nga detyra ditën e martë.

Downing Street parashikon gjithashtu dorëheqje të mëtejshme nga qeveria, nga ministrat që duan të jenë pjesë e administratës së Liz Truss.

Lajme të ngjashme