Kryeministri grek tërthorazi lë të kuptohet se e do fitoren e opozitës në Turqi - NACIONALE

Kryeministri grek tërthorazi lë të kuptohet se e do fitoren e opozitës në Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se do t’ia zgjasë dorën e miqësisë fituesit të zgjedhjeve në Turqi, por ka shtuar se shpreson që qeveria e ardhshme turke do ta rishqyrtojë qasjen e vet drejt Perëndimit.

Duke e marrë parasysh faktin se presidenti turk, Rexhep Erdogan, nuk pritet të bëjë ndonjë ndryshim të konsiderueshëm të qasjes ndaj Perëndimit, nëse i fiton zgjedhjet të dielën, deklarata e kryeministrit grek lë të kuptohet se ai e parapëlqen fitoren e opozitës në shtetin fqinj.

Presidenti turk ka deklaruar: “Turqia do t’i japë një mesazh Perëndimit në këto zgjedhje.”

Kryeministri grek, i cili vetë do të ballafaqohet me zgjedhje këtë muaj, tha se është i gatshëm që të bisedojë më këdo që fiton në zgjedhje në Turqi.

“Por unë nuk jam naiv. E di se politikat e jashtme të shteteve nuk ndryshojnë nga dita në ditë”- tha ai në një intervistë për agjencinë “Associated Press”.

“Do të shpresoja që qeveria e ardhshme turke do ta rishqyrtonte në përgjithësi qasjen e saj ndaj Perëndimit, jo vetëm ndaj Greqisë, ndaj Evropës, ndaj NATO-s dhe ndaj Shteteve të Bashkuara, por, përsëri, duhet të jem realist dhe të mos jem naiv dhe, për këtë arsye, ne do të vazhdojmë me... politikën tonë të jashtme të prerë. Kjo do të thotë se ne do të vazhdojmë që t’i fuqizojmë aftësitë tona parandaluese dhe aftësitë tona të mbrojtjes”- tha kryeministri grek.

“Do të doja që të mos jem i detyruar për të shpenzuar shumë më shumë se 2 për qind të prodhimit tim vendës në mbrojtje, por, fatkeqësisht, jetojmë në një lagje të pasigurt me... një vend shumë më të madh se ne që, gjithashtu, ka qenë duke u sjellë në mënyrë agresive”- tha kryeministri Mitsotakis.

Më 21 maj, në Greqi do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Sipas anketave, Mitsotakis ka më shumë përkrahje se rivali kryesor nga opozita, Alexis Tsipras.

Lajme të ngjashme