Kryeministri belg e kritikon Izraelin: Taktikat e vdekjes nga uria janë të papranueshme - NACIONALE

Kryeministri belg e kritikon Izraelin: Taktikat e vdekjes nga uria janë të papranueshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e paralajmëroi Izraelin të shtunën kundër përdorimit të urisë si “armë lufte” në Rripin e Gazës, duke i bërë thirrje qeverisë së këtij shteti që të hapë më shumë pika për qasje në ndihma humanitare.

“Unë shoh sot se është një popullsi shumë e madhe [në Gaza] në rrezik prej vdekjes nga uria. I përket Izraelit që të dëshmojë se uria nuk do të përdoret si armë e luftës” – tha ai para gazetarëve në Aman të Jordanisë, raporton“Politico”.

Më tej, De Croo i bëri thirrje homologut izraelit, Benjamin Netanyahu, që të heqë dorë nga planet për një ofensivë në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Kryeministri belg e quajti “absolutisht dramatike” situatën humanitare në Gaza dhe i bëri thirrje Izraelit që të hapë më shumë pika për qasje në ndihma humanitare që ato t’u dërgohen civilëve.

“Ne shohim që shumë ndihma po mbahen nga kontrollet që janë të përsëritura dhe të tepërta, duke i marrë parasysh nevojat në terren” – tha De Croo në një konferencë për gazetarë me ish-ministren e Financave të Holandës, Sigrid Kaag, e cila tani është koordinatore e OKB-së për ndihma humanitare në Gaza.

Në rrjetin social X, De Croo shkroi: "Izraeli urgjentisht duhet të ofrojë më shumë qasje humanitare në Gaza. Taktikat e vdekjes nga uria janë të papranueshme."

Zonja Kaag tha se përpjekjet e reja për shtimin e dërgesave me ndihma – përfshirë përdorimin e anijeve si dhe hedhjen e ndihmave nga ajri nga ShBA-ja, Belgjika, Franca, Gjermania e shtetet e Lindjes së Mesme – janë të pamjaftueshme dhe se është e nevojshme që “të vërshohet tregu”.

“Ne kemi nevojë për vëllim, vëllim, vëllim” – shtoi zyrtarja e OKB-së.

Bashkë me kryeministrat e Spanjës e të Irlandës, Pedro Sanchez e Leo Varadkar, De Croo është njëri nga përkrahësit më të dalluar evropianë të kauzës palestineze.

“Belgjika ka një pozicion shumë të qartë. Ne jemi pjesë e një palce të shteteve, me Spanjën e Irlandën, që kemi qenë duke bërë thirrje për armëpushim” – tha kryeministri belg.

Pas një mbledhjeje të mëngjesit me koordinatoren Kaag, De Croo kaloi më shumë se një orë duke biseduar me trupat e Forcës Ajrore Belge në një fushë ajrore në Jordani, prej së cilës po nisen ndihmat që po hidhen nga ajri në Gaza.

Pasi Belgjika do ta ketë presidencën e ardhshme të Bashkimit Evropian, pritet që De Croo t’i shtyjë udhëheqësit e vendeve të BE-së që të përqendrohen në situatën në Gaza gjatë një takimi në Bruksel javën e ardhshme.

Lajme të ngjashme