Kryediplomatja franceze: S’i përket Izraelit që ta caktojë të ardhmen e Gazës – tokë palestineze
Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, tha të premten se “nuk i përket Izraelit që ta përcaktojë të ardhmen e Gazës, e cila është tokë palestineze”.
Kryediplomatja franceze e bëri këtë koment në televizionin CNN dhe e refuzoi idenë e disa ministrave izraelitë që zhvendosja e palestinezëve nga Gaza është si mundësi, përcjell agjencia “Anadolu”.
Sipas zonjës Colonna, këto thirrje janë “të papërgjegjshme” dhe “na largojnë nga zgjidhja”, duke theksuar se sugjerime të tilla janë edhe kundër interesave afatgjate të Izraelit.
“Ne duhet t’i kthehemi parimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ta respektojmë atë”- shtoi diplomatja franceze.
Ajo e theksoi përkrahjen e Francës për një zgjidhje me dy shtete, e cila është “opsioni i vetëm i zbatueshëm”, dhe nënvizoi se “Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet që së bashku të jenë pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez”.
Colonna tha më tej se civilët nuk janë përgjegjës për krimet dhe duhet të mbrohen, duke e përsëritur detyrimin për ta ndjekur të drejtën ndërkombëtare dhe për ta mbrojtur popullsinë civile.
Ministrja bëri të ditur se Franca është e përkushtuar ndaj shmangies së eskalimit të mëtejmë të situatës nga të gjitha palët, përfshirë zonat fqinje, si Libani e Deti i Kuq.
Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore e tokësore në Gaza që nga sulmi i Hamasit në jug të këtij shteti më 7 tetor të vitit të kaluar. Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, të paktën 22 mijë e 600 palestinezë janë vrarë e gati 58 mijë të tjerë janë plagosur nga fillimi i luftës. Nga sulmi i Hamasit në Izrael raportohet të jenë vrarë rreth 1.200 njerëz.