Kryediplomati tajvanez thotë se Kina duket sikur po mundohet të përgatitet për të nisur luftë - NACIONALE

Kryediplomati tajvanez thotë se Kina duket sikur po mundohet të përgatitet për të nisur luftë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, i dënoi ushtrimet e ushtrisë kineze afër ishullit dhe paralajmëroi se Kina duket sikur po përpiqet që të përgatitet për të nisur një luftë kundër Tajvanit.

“Shikojini ushtrimet ushtarake dhe, gjithashtu, retorikën e tyre, ata duket sikur po mundohen që të bëhen gati për të nisur një luftë kundër Tajvanit. Qeveria tajvaneze e shikon kërcënimin nga ushtria kineze si diçka që nuk mund të pranohet dhe ne e dënojmë atë”- tha kryediplomati tajvanez në televizionin CNN.

Kur u pyet nëse Tajvani ka ndonjë perceptim për kohën e veprimit të mundshëm ushtarak të Kinës, duke i marrë parasysh vlerësimet e inteligjencës amerikane se presidenti kinez, Xi Jinping, e ka udhëzuar ushtrinë që të jetë gati deri më 2027, ministri tajvanez shprehu besim në përgatitjet e vendit të tij.

“Udhëheqësit kinezë do të mendojnë dy herë para se të vendosin që ta përdorin forcën kundër Tajvanit. Nuk ka rëndësi nëse është viti 2025 apo 2027 ose edhe më vonë, Tajvani thjesht duhet të bëhet gati”- shtoi ai.

Në këto ushtrime u duk sikur u bë për herë të parë ushtrimi i sulmeve nga forcat ajrore me aeroplanë në aeroplanmbajtëse kundër Tajvanit.

Pekini i nisi ushtrimet të shtunën, një ditë pas kthimit të presidentes tajvaneze, Tsai Ing-wen, nga vizita në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën Qendrore. Ajo është takuar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, pavarësisht nga paralajmërimi i Kinës kundër këtij veprimi.

Pekini i ka përshkruar ushtrimet si paralajmërim serioz kundër bashkëpunimit të forcave "separatiste" të Tajvanit me forcat e jashtme dhe si lëvizje të nevojshme për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

Kur u pyet nëse kostot e kësaj vizite janë shumë të larta, ministri Wu tha: “Kina nuk mund të diktojë se si Tajvani bën miq dhe Kina nuk mund të diktojë se si miqtë tanë duan ta shfaqin përkrahjen ndaj Tajvanit.”

Kina zhvilloi ushtrime të ngjashme ushtarake në gushtin e vitit të kaluar përreth Tajvanit, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e vizitoi ishullin.

Përderisa tensionet mes ShBA-së dhe Kinës për Tajvanin janë përkeqësuar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta mbronin ishullin ushtarakisht, nëse Kina do ta sulmonte, edhe pse zyrtarët e administratës amerikanë kanë këmbëngulur se ShBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj politikës “një Kinë”.

Lajme të ngjashme