Kryediplomati saudit arrin në Iran pas më shumë se shtatë viteve armiqësi - NACIONALE

Kryediplomati saudit arrin në Iran pas më shumë se shtatë viteve armiqësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan, arriti të shtunën në Iran pas marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve rivale të Lindjes së Mesme, raportoi televizioni shtetëror iranian.

Irani dhe Arabia Saudite u pajtuan në mars, përmes një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kina, për t’i dhënë fund përplasjes diplomatike dhe për t’i rivendosur marrëdhëniet pas disa viteve armiqësi që e kishte rrezikuar stabilitetin rajonal, përfshirë Jemenin, Sirinë dhe Libanin, raporton agjencia “Reuters”.

Irani zyrtarisht e rihapi ambasadën e vet në Arabi Saudite më 7 qershor.

Arabia Saudite i shkëputi marrëdhëniet me Iranin më 2016, pasi protestuesit e kishin sulmuar ambasadën saudite në Teheran si hakmarrje për ekzekutimin e një kleriku të njohur shiit nga autoritetet saudite.

Kryediplomati Bin Farhan pritet të takohet me presidentin iranian, Ebrahim Raisi, si dhe me homologun iranian, Hossein Amirabdollahian.

Irani është përpjekur rishtazi që t’i përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara me disa shtete të Gjirit Arab.

Rivendosja e marrëdhënieve të Arabisë Saudite me Iranin e ka lënë Izraelin pothuajse të vetmuar, pasi ky shtet ishte përpjekur që ta izolonte Iranin në rrafshin diplomatik.

Lajme të ngjashme