Kryediplomati kinez: Të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit i takojnë Kinës
Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha të premten se të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit i takojnë Kinës dhe se është e drejtë dhe e duhur që Kina ta ruajë sovranitetin e vet.
Kryediplomati kinez e dha këtë deklaratë në Forumin "Lanting" në Shangai, ku diskutoi për shumë çështje, përfshirë borxhin, ekonominë globale dhe Tajvanin, raporton agjencia "Reuters".
"Rishtazi ka qenë një retorikë absurde, duke e akuzuar Kinën se po e përmbys status-kuonë, po i pengon paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit. Logjika është absurde dhe konkluzioni i rrezikshëm"- tha ai.
"Nuk është pjesa kryesore e Kinës, por forcat separatiste për pavarësinë e Tajvanit dhe një grusht shtetesh që po përpiqen ta pengojnë status-kuonë. Ata që luajnë me zjarr për Tajvanin në fund do të digjen vetë"- shtoi ministri kinez.
Kina zhvilloi rishtazi ushtrime ushtarake përreth ishullit, pasi presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, u kthye në vend pas një takimi me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Kevin McCarthy, në Los Angeles, pavarësisht nga paralajmërimi i Kinës që ky takim nuk duhej të zhvillohej.
Kina e cilëson Tajvanin si territor të saj, por autoritetet e Tajvanit e kundërshtojnë prerazi këtë. Pekini i dënon rregullisht takimet e udhëheqësve të Tajvanit me zyrtarë të huaj.
