"Krizë brenda një krize", OKB: Miliona sirianë mund të mbeten të pastrehë pas tërmetit - NACIONALE

"Krizë brenda një krize", OKB: Miliona sirianë mund të mbeten të pastrehë pas tërmetit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, ka thënë se më shumë se pesë milionë njerëz mund të kenë mbetur të pastrehë pas tërmetit që goditi vendin dhe Turqinë ditën e hënë.

“UNHCR-ja është duke u fokusuar shumë në strehë dhe sende ndihme, duke siguruar që qendrat kolektive të zhvendosuar të kenë objekte adekuate, si dhe tenda, çarçafë, batanije termale, dyshekë gjumi, veshje dimërore e kështu me radhë,”- ka thënë Sivanka Dhanapala, përfaqësuese e UNHCR-së në Siri, duke shtuar se, “për Sirinë, kjo është një krizë brenda një krize.”

“Kemi pasur tronditje ekonomike, COVID, dhe tani jemi në thellësi të dimrit, me stuhi të tërbuara në zonat e prekura”.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se që nga fillimi i luftës që ka përfshirë Sirinë në vitin 2011, më shumë se 6.8 milionë njerëz tashmë ishin të zhvendosur brenda vendit.

“E gjithë kjo, natyrisht, ndikon në aksesin për ndihmë. Rrugët janë dëmtuar dhe kjo na pengon të përpiqemi të arrijmë njerëzit. Ka qenë shumë, shumë e vështirë,”- ka thënë më tej Dhanapala.

Bazuar në një vlerësim paraprak, organizata e refugjatëve po ashtu ka bërë të ditur se “5.37 milionë njerëz të prekur nga tërmeti do të kenë nevojë për ndihmë strehimore në të gjithë Sirinë”.

Lajme të ngjashme