Kriza në Britani – “I kapërcej vaktet e ushqimit që vajza ime të mund të hajë” - NACIONALE

Kriza në Britani – “I kapërcej vaktet e ushqimit që vajza ime të mund të hajë”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

“Normalisht ha vetëm një pako me çipsa, duke u përpjekur që të kursej për vajzën time.” Tasha jeton me partnerin dhe vajzën 2-vjeçare, punon me orar të plotë, por prapëseprapë ballafaqohet me vështirësi për ta mbuluar koston e jetesës.

Kur vjen në shtëpi nga puna, është zakonisht vonë dhe nuk ka shumë gjëra për të ngrënë, prandaj i jep përparësi vajzës së vogël. “Ajo është ende e re dhe ka nevojë për ushqim”, tha nëna britanike. Megjithatë, ajo pranon se kjo situatë i duket dëshpëruese.

“Më duket se po përpiqem që ta jap më të mirën për vajzën time, por, njëkohësisht, më duket se po dështoj”, tha gruaja 25-vjeçare nga Derby.

Çmimet po vazhdojnë që të rriten me ritmin më të shpejtë në më shumë se katër dekada, të nxitura edhe nga shtrenjtimi i derivateve.

“E tërë arsyeja se pse u ktheva në punë ishte që të ofroja ndihmë për ta përkrahur familjen time, por nuk duket që puna ime po bën ndonjë gjë më”, tha Tasha.

Sipas një hulumtimi të ri të organizatës bamirëse për të rinjtë e pastrehë, “Cetrepoint”, 177 nga 2.000 personat e moshave 16 deri 25-vjeçare, që morën pjesë në një anketë, thanë se shpesh kanë qëndruar pa ushqim që të ushqejnë dikë tjetër.

Qëndrimi e uritur dhe “vdekja nga uria tri ditë radhazi” janë një ndjenjë që 22-vjeçarja Zahraa, nga West Yorkshire, e kujton shumë qartë.

“Ende i mbaj në mend ato dy net, u zgjova në mes të natës dhe po qaja, e ulur në shtrat. Ishte errësirë dhe as nuk e ndeza dritën”, thotë ajo.

Nga 2.000 personat e moshave 16 deri 25-vjeçare, që ishin pjesë e anketës, 265 prej tyre thanë se shpesh kanë shkuar të uritur për të fjetur në 12 muajt e fundit, ndërsa 207 thanë se shpesh janë varur nga qendrat që japin ushqim falas ose nga ndonjë mënyrë tjetër urgjente për sigurimin e ushqimit.

Zahraa tha se është paraqitur për të marrë ushqim, por si person që ha ushqime hallall dhe vegjetariane, atje nuk kishte shumë produkte të përshtatshme për të. “Isha shumë e dëshpëruar ato ditë”, thotë ajo.

333 nga 2.000 personat që u përfshinë në anketë, thanë se shpesh janë varur nga familja ose miqtë për ushqim./Nacionale

Lajme të ngjashme