Krijohet pajisja e ‘puthjeve nga larg’, po bën bujë në rrjetet sociale - NACIONALE

Krijohet pajisja e ‘puthjeve nga larg’, po bën bujë në rrjetet sociale

1 muaj më parë

nga Miranda Shala

Një konstruksion kinez duket se ka sjellë përgjigjen për të gjithë personat që dëshirojnë të dërgojnë puthje nga larg për partnerin.

E reklamuar si një mënyrë për të lejuar çiftet në distancë që të ndajnë intimitet fizik “të vërtetë”, sipas CNN, kjo pajisje me “buzë të ngrohta dhe lëvizëse silikoni”, është shpikja më e fundit nga Kina në ndihmë të çifteve.

E pajisur me sensorë presioni dhe aktivizues, thuhet se pajisja është në gjendje të japë ndjesinë e një puthjeje të vërtetë, duke përsëritur presionin, lëvizjen dhe temperaturën e buzëve të përdoruesit.

Raportohet se bashkë me lëvizjen e buzëve, pajisja që po shkakton bujë të madhe te përdoruesit në mediat sociale, është e aftë të përcjellë edhe tingullin që lëshon përdoruesi.

Megjithatë, ndërsa shumë persona janë marrë me pjesën qesharake të saj, edhe shumë të tjerë e kanë konsideruar zbulimin e ri, si diçka “vulgare” dhe të “mërzitshme”, me shqetësime se mund ta blejnë edhe të miturit.

"Unë nuk e kuptoj (pajisjen) por jam krejtësisht i tronditur," – ka thënë një përdorues në Weibo, ndërsa lidhur me pajisjen janë krijuar disa hashtags, që kanë mbledhur qindra million shikime brenda një jave.

Për të dërguar një puthje, përdoruesit duhet të shkarkojnë një aplikacion të telefonit celular dhe ta lidhin pajisjen në telefonin e tyre. Pastaj çiftet mund të fillojnë telefonatën me video dhe t'i transmetojnë njëri-tjetrit puthje përmes pajisjeve të tyre.

Sipas medias shtetëore kineze Global Times, shpikja është patentuar nga Instituti Profesional i Teknologjisë Mekatronike Changzhou.

Është bërë e ditur se kjo pajisje kushton rreth 41 dollarë amerikanë.

Lajme të ngjashme