Kremlini thotë se takimi Trump – Putin mund të mbahet këtë muaj, por edhe më vonë
Kremlini tha të mërkurën se presidentët e ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, mund të takohen këtë muaj, edhe pse përgatitjet për takimin mund të marrin më shumë kohë.
Trumpi tha të martën se ndoshta do të takohet me Putinin këtë muaj dhe e hodhi poshtë shqetësimin e Ukrainës për lënien jashtë bisedimeve ShBA – Rusi në Arabinë Saudite, duke sugjeruar se Kievi ka mundur të arrinte një marrëveshje me Rusinë më herët, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se takimi në Riad ishte i përqendruar kryesisht në lidhjet dypalëshe ShBA – Rusi, por se ai gjithashtu ishte një “hap shumë, shumë i rëndësishëm” drejt arritjes së një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë, e cila po i afrohet trevjetorit të saj.
“Por ky është hapi i parë... Natyrisht, është e pamundshme që të rregullohet gjithçka në një ditë ose një javë. Është një rrugë e gjatë për t’u bërë” – paralajmëroi Peskovi.
Kur u pyet nëse takimi mes Putinit e Trumpit mund të mbahet këtë muaj, Peskovi citohet nga agjencia “Interfax” të ketë thënë: “Ka mundësi dhe ka mundësi që jo.”
Paraardhësi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, ishte takuar me Putinin në Gjenevë në qershor të vitit 2021. Ajo ishte hera e fundit kur presidentët e dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë u takuan sy më sy.
Bisedimet në Riad ishin të parat që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kanë zhvilluar në kërkim të përfundimit të luftës në Ukrainë, më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./Nacionale