Kremlini thotë se sulmi ndaj territorit të aneksuar do të cilësohet sulm ndaj Rusisë - NACIONALE

Kremlini thotë se sulmi ndaj territorit të aneksuar do të cilësohet sulm ndaj Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kremlini tha të premten se sulmet ndaj cilësdo pjesë të Ukrainës që presidenti Putin do ta aneksojë, do të konsiderohet agresion ndaj vetë Rusisë, duke shtuar se Rusia do të luftojë për ta marrë tërë rajonin lindor të Donbasit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet që të premten pasdite ta shpallë aneksimin e rreth një të pestës së territorit të Ukrainës, duke e eskaluar luftën shtatëmujore e duke e futur atë në një fazë të re e të paparashikueshme, raporton agjencia “Reuters”.

Moska do t’i shpallë Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhian pjesë të Rusisë. Këto rajone janë kryesisht ose pjesërisht nën kontrollin e forcave ruse dhe pro-ruse.

Kur u pyet nga gazetarët nëse një sulm nga Ukraina ndaj territoreve që Rusia do t’i shpallë si të vetat do të konsiderohej sulm ndaj Rusisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Nuk do të ishte asgjë tjetër.”

Presidenti rus tha javën e kaluar se është i gatshëm që t’i përdorë armët bërthamore për ta mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë.

Rusia po synon që formalisht t’i aneksojë katër rajonet ukrainase pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume, që nga Ukraina dhe Perëndimi janë konsideruar si mashtrim.

Kur u pyet nëse territoret e Republikës Popullore të Donetskut, që tash për tash janë nën kontrollin e forcave ukrainase, do të cilësohen si pjesë e Rusisë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “De jure po. Duke iu bashkuar Federatës Ruse, një shtet që është njohur nga ne brenda kufijve të vitit 2014 do të bashkohet.”

Ai shtoi se territori i Republikës Popullore të Donetskut, që tash për tash nuk kontrollohet nga ushtria ruse, “do të duhet të çlirohet”.

Zëdhënësi rus nuk dha përgjigje për rajonet jugore, Kherson dhe Zaporizhia, ku gjithashtu janë mbajtur të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë, duke thënë: “Më duhet ta konfirmoj këtë.”/Nacionale

Lajme të ngjashme